Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 18:10

Shkup – Lideri i arrestuar i partisë Të Bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkovski, përveç që është arrestuar në mënyrë çnjerëzore, po i nënshtrohet edhe një torture psikologjike, pohojnë nga partia e tij.

“Pas zbulimit të identitetit të rojtarëve, partia jonë do të ngrisë padi penale për ta dhe për drejtorinë e burgut hetues, përderisa nuk sanksionohen. Gjatë vizitës që iu lejua gruas së Boshkovskit, për shkak gjendjes shëndetësore të keqësuar tё tij, ajo ka vërejtur lëndime të dukshme që i ishin shkaktuar gjatë kohës së arrestimit, në të cilën Boshkovski nuk ka bërë rezistencë”, ka thënë Natalija Ivçeva, anëtare e kryesisë së partisë “Të Bashkuar për Maqedoninë”.

Në partinë e BM-së thonë se për kushtet dhe trajtimin e Boshkovskit janë të informuara të gjitha institucionet e përshtatshme ndërkombëtare dhe shtojnë se do të kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë qenë të përzier në këtë që, sipas tyre, është “rast politikisht i montuar”.