Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 08:00

Shkup – Belgjika dhe Suedia janë vërtet të shqetësuara nga numri i azilkëruesve që vijnë nga Maqedonia dhe Serbia, por edhe Franca së fundmi ka shprehur shqetësim, se po vihet re mbërritja e një numri azilkërkuesish boshnjakë në Francë. Komisionerja Malmström ka thënë se këto vende po marrin masa shtesë për këtë fenomen, por numri i azikërkuesve mbetet shqetësues. Sipas komisioneres për sigurinë Sesilia Malmstrom “ka patur progres nga këto vende, por është e qartë, se ka ende shumë azilkërkues që vijnë nga Maqedonia dhe Serbia. Ne kemi folur edhe për klauzolën e rivendosjes së përkohshme të vizave në kushte shumë specifike të përcaktuara nga Komisioni si një stad i fundit i trajtimit të problemit që do përfshihet në kodin e vizave aktual dhe të ardhshëm për të ruajtur integritetin e zonës Shengen. Por asnjë nga shtetet anëtare nuk ka kërkuar deri tani një pezullim të tillë”. Me klauzolën e ruatjes, BE-ja bën të mundur shpejtimin e proçedurave të pezullimit të vizave me një vend në rast se ai abuzon. Ndërsa, sekretari i shtetit belg për emigracionin Melchior Wathelet shprehet se “Bashkimi Europian përmbush premtimin e saj për liberalizimin e vizave me Ballkanin, por duhet që edhe vendet që kanë përfituar nga ky liberalizim të përmbushin një numër kriteresh dhe që këto kritere të vazhdojnë të kontrollohen vazhdimisht. Nëse ka shumë persona, që përdorin liberalizimin e vizave për azil, për Bashkimin Europian kjo është e papranueshme. Ndaj duhen parashikuar zgjidhje dhe proçedura, nëse vihet re se ka abuzim. Kjo është ajo që bëri Komisioni Europian dhe kjo është pozitive.