Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 06:40

Shkup – Dy partitë fituese, BDI dhe DPMNE vazhdojnë të jenë të rezervuara në fjalë në lidhje me negociatat që zhvillohen për formimin e qeverisë. Ajo që dihet si e konfirmuar deri më tani është se janë formuar ekipe negociuese nga dy anët dhe se sipas prononcimit të njërit prej negociatorëve nga BDI, Musa Xhaferi ata shpesh takohen dhe shqyrtojnë mundësitë e përmirësimit të qeverisjes.

Në një komunikatë të BDI-së, lëshuar për mediat të enjten informojnë se dialogu BDI e VMRO po zhvillohet në një atmosferë fer dhe konstruktive.

“Grupet për bisedime janë duke punuar në drejtim të përforcimit të partneritetit dhe besimit të ndërsjellë, si shtylla themelore për funksionimin e mirë të kabinetit të ardhshëm qeveritarë. Të gjitha informacionet që kanë qarkulluar në media gjatë këtyre ditëve janë spekulime të pabaza dhe BDI, si parti serioze politike, do ta informojë në mënyrë transparente, formale dhe me kohë opinionin dhe elektoratin, lidhur me çdo çështje sa i përket këtij procesi”, thuhet në komunikatën e BDI-së së Ahmetit.

Ndërkohë, zëdhënësi i VMRO-së, Aleksandar Biçikliski ka thënë se nuk ka informata në lidhje me procesin e negocimit të dy partive më të mëdha në Maqedoni. ”Nuk kam informata për procesin negocues dhe kush do të jetë aty”, ka thënë Biçikliski. Në mungesë të informatave transparente për rrjedhën e bisedimeve, ditëve të fundit janë shtuar brifingjet jozyrtare që plasohen nga burime të përafërta me dyja partitë në lidhje me negociatat që zhvillohen për formimin e qeverisë së ardhshme. Ashtu as partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe as ajo e Nikolla Gruevskit VMRO- DPMNE nuk komentojnë informatat e liferuara nga gazeta maqedonase “Dnevnik” për praninë e shefit të Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov në ekipin negociator të VMRO-DPMNE-së me BDI-në për formimin e qeverisë së re. Mijallkov, si shkruan “Dnevnik”, kryeson ekipin negociues të VMRO-DPMNE-së ndërsa në të janë të përfshirë edhe Martin Protogjer dhe ministrat Gordana Jankullovska, Nikolla Todorov, Zoran Stravrevski dhe Vladimir Peshevski. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e BDI-së janë, Abdilaqim Ademi, Izet Mexhiti, Ermira Mehmeti, Fatmir Besimi dhe Musa Xhaferi. Sipas “Dnevnik”, BDI, praninë e Mijallkovit në ekipin negociator të VMRO-DPMNE-së e ka komentuar si presion për t’i zbutur kërkesat e tyre, të cilat, sipas burimeve partiake të VMRO-së, shumica janë joreale. Ndërsa sa i përket marrëdhënieve të Ahmetit me Mijallkovin, ata janë larg nga idealja. Ëikileaks ditë më parë publikoi konfesionin e Ahmetit tek ambasadori amerikan Filip Riker se ai ishte i mendimit se Mijallkov ka kontakte dhe dëshirë për të provokuar elementet e ashpra shqiptare në Maqedoni për të krijuar probleme etnike që më pas do t’i kishte arsyetuar aksionet e mëdha dhe gjithëpërfshirëse kundër shqiptarëve. Burime jozyrtare nga BDI kanë thënë se që nga fillimi i negociatave për formimin e koalicionit, grupet punuese kanë hasur në dallime të mëdha rreth arritjes së një platforme të përbashkët të plotësuar me kërkesat e BDI-së. Kërkesat e partisë së Ali Ahmetit janë që nga platforma politike, e deri te ndarja e resorëve ministror në mënyrë proporcionale. Jozyrtarisht, Ahmeti kërkon marrëveshje të shkruar mes tij dhe Gruevskit. Nga BDI nuk kanë komentuar as informacionet që kanë qarkulluar në publik për takim eventual në Tiranë mes krerëve të PDSH-së dhe BDI-së me kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Edhe nga Partia e Thaçit kanë vendosur të heshtin në lidhje me takimin eventual të Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit me Berishën. Madje, pa koment kanë qenë edhe për spekulimet se Gruevski mund të bisedojë edhe me PDSH-në për koalicionin e ardhshëm dhe se me këtë parti që fitoi 8 deputetë do të siguronte një maxhorancë prej 63 deputetëve. Ndryshe, mbledhja konstitutive e përbërjes së re parlamentare me siguri do të mbahet të hënën, në datën 20 qershor. Mirëpo, nga kabineti i spikerit Trajko Veljanovski kanë thënë se me siguri nuk do të presin ditët e fundit të afatit përfundimtar, i cili parasheh parlamenti i ri të konstituohet deri në fund të javës së tretë të këtij muaji, por përsëri më reale është që ajo të ndodhë javën e fundit të qershorit. Presidenti Gjorgje Ivanov më pas do ti beson mandat për përbërjen e Qeverisë së re, e cila duhet të jetë e formuar deri në datën 10 gusht 2011.