Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 19:47

Shkup – Policia ka arrestuar pasditen e të hënës liderin e partisë “Të Bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovski në restorantin “Vodenica” në Shkup. Jozyrtarisht, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), bëhet fjalë për “të holla të zeza”, rreth 100.000 euro, të cilat Boshovski i ka fituar nga ryshfeti, ndërsa policia i ka gjetur në automobilin e tij.

Të hollat ishin të gjetura në qese të letrës, ndërsa sipas dyshimeve të policisë, ato kanë qenë të holla me të cilat Boshkovski në mënyrë jo legale e ka financuar fushatën zgjedhore. Në automobilin e tij, lloji “Lançia”, janë gjetur edhe pasaporta dhe armë.

Siç kuptojmë, policia ka pasur dyshime se Boshkovski ka synuar që ta lëshojw shtetin dhe të largohet në Kroaci.

Sipas informacioneve, Boshkovski sapo e ka lëshuar selinë e partisë dhe është nisur kah restoranti “Vodenica”. Sipas informatave të partisë, nuk kanë kaluar as dhjetë minuta, kur janë lajmëruar për të treguar se Boshkovski është arrestuar së bashku me vozitësin e tij personal.

Nga “Të Bashkuar për Maqedoninë” i denoncojnë informacionet se lideri i tyre ka pasur “të holla të zeza”, ndërsa aq më pak se ka dashur ta lëshoj shtetin.

“Kjo përfundimisht është llogaritje politike, duke marrë parasysh paraqitjet e Boshkovskit gjatë fushatës parazgjedhore. Nuk kemi informacione për çka është i arrestuar. Të hollat të cilat gjoja ia kanë gjetur në automobil me siguri janë kurth dhe nuk kisha dashur të komentoj përderisa nuk vërtetohet informacioni. Ajo që është e sigurt është se Boshkovski nuk kishte qëllim që ta lëshoj shtetin, pasi që sot krijuam strategji se si ta përforcojmë partinë pas falsifikimit zgjedhor”, ka thënë Iskra Keskovska nga “Të Bashkuar për Maqedoninë”.

Para restorantit “Vodenica”, kishte arritur edhe bashkëshortja e Boshkovskit, Violeta Boshkovska e cila ishte e stresuar nga ndodhia dhe kërkonte shpjegim nga policët se pse ka arrestuar bashkëshortin e saj.

“Gjithçka keni rregulluar. Tregomëni çka ka ndodhur. Djali më tregoi se bashkëshortin tim e arrestojnë mijëra policë. Turp të keni, mallkuar qofshi. I bëtë kurth bashkëshortit tim”, kanë qenë fjalët të cilat me tërë fuqinë i thoshte Violeta.

Sipas informacioneve nga MPB, policia një kohë më të gjatë e ka ndjekur Boshkovskin por nuk ka dashur ta arrestojnë para zgjedhjeve që të mos keqinterpretohet si presion parazgjedhor. Sipas MPB, kjo ka qenë radha e pestë se si Boshkovski nga i njëjti person merr reket, i cili personalisht e ka paraqitur në polici.