Lajme Shqip Sunday, 11 September 2011 11:37

Tetovë – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, me rastin e 10-vjetorit nga sulmet terroriste në Nju-Jork dhe Uashington më 11 shtator të vitit 2001, i dërgoi telegram përkujtimi u.d. ambasadorit të SHBA-së në Shkup, Brajan Ageler.

“Më lejoni që në emrin tim dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim, përmes kësaj letre adresuar Juve, por përmes Jush edhe presidentit Obama dhe gjithë popullit liridashës të SHBA-së, t’ju shpreh keqardhjen tonë në këtë ditë kur populli Juaj përkujton 11 Shtatorin dhe 3.000 viktimat e atij sulmi tragjik. I nderuari Ambasador, ne besojmë thellë se 11 Shtatori i vitit 2001 nuk ishte vetëm sulm ndaj SHBA-së dhe popullit Tuaj, por para së gjithash ishte sulm mbi vlerat qytetërimore që po i ndërton vendi Juaj bashkë me vendet e qytetëruara të globit. Prandaj, duke besuar thellësisht në këto vlera, ne dhe në përgjithësi populli shqiptar, si komb që mbase më shumë se çdo popull tjetër e ka ndjerë miqësinë e ngrohtë amerikane në çaste të dhimbshme të historisë së tij, sa herë që vjen 11 Shtatori e ndjejmë thellë dhimbjen e popullit tuaj dhe ndajmë këtë pikëllim, njëherazi duke i qëndruar besnik rrugës Suaj së mbrojtjes së vlerave të cilat deshën të vihen në sprovë më 11 Shtator 2001″, thuhet në telegram përkujtimin e Ahmetit.

Me këtë rast, thuhet më tej, Ahmeti dhe partia e tij edhe një herë i shprehin konsideratat e tyre më të larta për viktimat e rëna në këtë sulm, duke qenë të bindur se ato do të mbeten të paharruara përgjithmonë si simbol i lirisë e demokracisë në botë.

“Më lejoni po ashtu të theksoj se, megjithëse 11 Shtatori i dha rrjedhë tjetër historisë, ne dhe shqiptarët në përgjithësi do të mbetemi gjithnjë në anë të vlerave demokratike, paqes dhe harmonisë mes popujve, vlera të cilat vendi juaj i promovon në çdo kënd të botës”, thuhet në telegram përkujtimin e liderit të BDI-së Ali Ahmeti dërguar u.d. ambasadorit të SHBA-së në vend, Brajan Ageler.