Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 12:42

Shkup – Partnerët VMRO dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë arritur marrëveshje për koalicion për mandatin vijues 4-vjeçar. Marrëveshja, siç mëson portali Lajmeshqip.com është arritur pas takimit që kanë realizuar lideri i VMRO-së Nikolla Gruevski dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti.

BDI e Ahmetit do të udhëheqë me Ministrinë e Mbrojtjes atë të Drejtësisë, të Pushtetit Lokal, Ekonomisë dhe Ministrinë e Ambinetit dhe Planifikimit Hapësinor. Tri nga këto dikastere janë udhëhequr edhe në mandatin e kaluar, si Ekonomia, Pushteti Lokal dhe Ekologjia, ku ministra kanë qenë Fatmir Besimi, Musa Xhaferi dhe Nexhati Jakupi.

Sipas këtyre burimeve brenda BDI-së, kjo parti përveç se do udhëheqë me pesë ministri, ajo do ketë edhe dy zv/kryeministra,  atë për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Eurointegrimet. BDI do të ketë edhe pesë zv/ministra dhe po aq sekretarë shtetërorë.

Ditëve në vijim do vendoset edhe për emrat e mundshëm që do të udhëheqin resorët, ndërsa marrëveshja për koalicionin është miratuar edhe nga kryesia qendrore e BDI-së në një takim urgjent, që ka zgjatur deri në orët e vonshme të së premtes.

Ndërkohë, BDI si kërkesë ka edhe zgjedhjen e rasteve të Hagës dhe çështjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së. Në seancën e sotme të Parlamentit, në të cilën duhet të verifikohen mandatet e 123 deputetëve të zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit, ku sigurisht se nuk do të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Madje, në këtë periudhë, presidenti Gjorgje Ivanov do ta ndajë mandatin për formimin e qeverisë (më së voni 10 ditë nga konstituimi i parlamentit), pra kabineti duhet të jetë gati për 20 ditë prej tani. (Lajmeshqip.com)