Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 12:05

Shkup – Gjykatësi hetues nga Gjykata Themelore Shkup 1 pas degjimit disa orësh mbrëmë i caktoi masë paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh liderit të partisë “Të Bashkuar për Maqedoninë” dhe ish ministër i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski, i cili pasditen e të hënës u arrestua nën dyshimin për financim joligjor të fushatës parazgjedhore dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Pas përcaktimit të masës arrest, Boshkovski është transferuar në burgun hetues të Shutkës. Avokati i Boshkovskit, Lubomir Mihajllovski, pas hetimit konfirmoi se ai dyshohet për dy vepra të theksuara. “E gjithë situata është shumë konfuze, me detaje do të dalim javën e ardhshme”, ka paralajëmruar Mihajllovski.

Boshkoski është arrestuar dje rreth orës 14 e 30 në restorantin “Vodenica”, ndërsa gjatë bastisjes së bërë, sipas MPB-së, te ai janë gjetur 100.000 euro dhe pistoletë.

Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski ka thënë se Boshkovski gjatë fushatës edhe dy herë të tjera ka pranuar para nga person i tretë, identiteti i së cilit nuk zbulohet. Ministria e Punëve të Brendshme e ka ndjekur dhe përgjuar Boshkovskin gjatë dy muajve të kaluara.

Nën shoqërimin e pjesëtarëve të Njësitit për sistemim të shpejtë lideri i partisë Të bashkuar për Maqedoninë nga stacioni policor – Gazi Babë u dërgua në parkingun para restorantit “Vodencia” ku u bë bastisja e automjetit të markës “Lançia” i cili është pronë e tij. Para Gjykatës Themelore 1 edhe paraprakisht para stacionit policor në lagjen Autokomandë, për mbështetjen e Boshkoskit ishin prezentë anëtarët e familjes së tij, një numër më i madh i anëtarëve të partisë Të bashkuar për Maqedoninë dhe simpatizues të tij. Siç publikuan disa nga mediet, dy persona, me siguri mbështetës të Boshkoskit, janë arrestuar para Gjykatës Themelore 1, pas zënkave me policinë.