Lajme Shqip Saturday, 06 April 2013 17:35

SHBA – Zyrtarë amerikanë kanë minimizuar kërcënimin për luftë në gadishullin korean, pas deklaratave ofensive prej javësh nga Peniani.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara “nuk do të surprizoheshin”, nëse Korea e Veriut do të lëshonte ndonjë raketë, por një krye-oficer ushtarak amerikan tha se kërcënimet e fundit po rezultojnë në taktika të njohura tashmë.

Peniani ka kërcënuar se do të sulmojë si Shtetet e Bashkuara edhe Korenë e Jugut. Ai ka njoftuar ambasadat e huaja se nuk do të mund t’u sigurojë dot mbrojtje në këtë konflikt.

Diplomatëve në Penian u është kërkuar, gjatë së premtes, t’u raportonin Ministrisë së Jashtme të vendit komunist, deri në 10 prill, se çfarë u nevojitet për t’u evakuuar.

Paralajmërimi bëri që, Rusia të kërkonte nga Peniani, nëse ishte duke ofruar ndihmë në rast të ndonjë konflikti, apo kishte marrë një vendim.

Mediat koreano-jugore raportuan se Veriu kishte transferuar dy vargje raketash të mesme, në pozicione gadishmërie në bregun lindor. Raketat nuk janë testuar, por besohet se ato mund të arrijnë deri në ishullin e Paqësorit, Guam, ku SHBA-të kanë një bazë ushtarake, si dhe ku është njoftuar se këta të fundit do të dislokojnë një sistem mbrojtës anti-raketor.

Yonhap, agjencia e lajmeve të Koresë së Jugut, tha se 2 anije luftarake, të pajisura me sistemet mbrojtëse Aegis, do të monitorojnë situatën.(T.CH/LajmeShqip.com)