Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 12:03

Uashington – Kombet e Bashkuara duhet të kenë përparësi në përpjekjet për ndërmjetësim në konfliktin libian, deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner në përgjigjen ndaj çështjes për kontaktet mes Kinës dhe kryengritësve libianë.

“Ka ndërmjetësues të KB-së për këtë problem dhe besoj se kështu duhet të fokusohen përpjekjet për ndërmjetësimin në konflikt”, theksoi Toner. Ai theksoi se, megjithatë, Kina dhe pjesa tjetër nga bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojnë me shqetësim ta ndjekin situatën në Libi.

Dje ministri libian i Punëve të Jashtme Abdel Ati al Obeidi arriti për vizitë dyditore në Pekin në përpjekje që të gjendet zgjidhja politike e krizës në Libi, kumtoi Qeveria kineze.

Kina, dje kumtoi edhe kontakte të reja në Bengazi mes diplomatëve të saj dhe përfaqësuesve të Këshillit kombëtar kalimtar libian, i cili është organ politik i kryengritësve libianë kundër regjimit të Moamer Gadafit.

Kina ka interesa të rëndësishme ekonomike në Libi, e cila është një prodhues i madh i naftës.