|
|
e Premte, 16 Dhjetor 2011 11:48 Uashington- Senati i SHBA-ve miratoi dje në mbrëmje një projektligj për mbrojtjen që përfshin ngrirjen e pjesshme të ndihmave ndaj Islamabadit ndërsa imponon sanksione ndaj Bankës Qëndrore Iraniane.
Ndërkohë projektligji në fjalë ashpërson politikat amerikane kundër terrorizmit pasi ia beson ushtrisë të dyshuarit për terrorizëm të Al Kaedës duke autorizuar burgosjen pa afat.
Projektligji që parashikon financime prej 662 miliard dollarë për Pentagonin morri në 14 dhjetor miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, e dominuar nga republikanët.
Pas miratimit dje në mbrëmje me 86 vota pro dhe 13 kundër, në Senat, drafti pret tani vetëm firmën e presidentit amerikan Barak Obama, për tu shndërruar në ligj.
Dhe sipas deklaratave të një dite më parë, projektligji sdo të ketë asnjë vështirësi për tu nënshkruar nga Obama.
Por shumë demokratë dhe grupe të të drejtave të njeriut kanë kundërshtuar këtë projektligj që sipas tyre do të lejojë burgosjen pa limit të të dyshuarve për terrorizëm pa i dhënë të drejtën për të dalë në gjyq, përfshirë këtu edhe amerikanët që arrestohen në SHBA. (LajmeShqip.com)