|
|
e Hënë, 30 Korrik 2012 13:50 Prishtinë – Daniel Serwer thotë se Kryeministri serb, Ivica Dacic ka dhënë disa sinjale të mira në raport me Kosovën, por tani duhet parë veprimet e tij. Megjithatë, normalizimi i raporteve mes dy vendeve, sipas tij, është ende larg. Analisti amerikan në një intervistë për Express pohon se diplomacia kosovare përballë kundërshtarëve po shfaqet e talentuar, edhe pse me resurse të kufizuara.
Express: Z. Serwer, disa muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve u formua në Serbi u formua Qeveria e re. Cilat janë gjasat tani për një dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe mundësitë për të arritur rezultate?
Serwer: Është ende herët të thuhet. Kryeministri i ri, Ivica Dacic ka thënë disa gjëra të mira: ai do t’i japë prioritet ekonomisë së Serbisë, është duke zvogëluar burokracinë që është e dedikuar për Kosovën, dhe ka thënë se do të implementojë marrëveshjet tashmë të arritura me Prishtinën. Por nuk mjafton vetëm të dëgjojmë se çfarë thotë qeveria e re, por duhet të shohim çfarë bën.
Express: Të premten kishte sinjale kontradiktore nga Parlamenti serb gjatë betimit të Qeverisë. Kryeministri Dacic tha se ai do të angazhohet të mbaj Kosovën brenda kufijve serbë, por u shfaq i gatshëm të vazhdojë dialogun dhe të implementojë marrëveshjet e arritura.
Serwer: Kushtetuta e Serbisë kërkon që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, kështu që në këtë kuptim, Dacic në fakt nuk ka zgjedhje. Politikanët serbë i kanë krijuar vetes së tyre një pengesë të jashtëzakonshme kur ndryshuan Kushtetutën më 2006. Vazhdimi i dialogut nuk është qëllim, por mënyrë. Le të shohim nëse ai do të përmbushë premtimin për të implementuar marrëveshjet tashmë të arritura.
Express: Çfarë prisni në fazat e ardhshme sa u përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi? A mund të normalizohen ato kur kemi parasysh lidershipin e ri atje?
Serwer: Unë pres shumë pak, por shpresoj që Serbia do ta pranojë se normalizimi i marrëdhënieve u shkon interesave të saj më të mira. Normalizimi domethënë për mua që Beogradi dhe Prishtina duhet të kenë përfaqësues në kryeqytetet e tyre dhe të pranojnë integritetin territorial të njëri-tjetrit. Beogradi është ende shumë larg nga kjo. Nuk jam i sigurt që edhe Kosova është e gatshme për këtë.
Express: Si e shihni diplomacinë kosovare karshi asaj serbe?
Serwer: Diplomacia serbe është mirë e etabluar dhe taktikisht ka qenë shumë e mirë: ajo ka ngadalësuar njohjet për Kosovën dhe ka fituar Presidencën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së. Ajo ka bindur shumë shtete se një Kosovë e pavarur është kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale.
Por nuk e shoh se çfarë të mire në fakt do të sjellë kjo krejt në fund. Njohjet janë duke ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë. Presidenca e Asamblesë së Përgjithshme do të përfundojë brenda një viti, kur shpresoj që të shohë Kosovën me mbi 100 njohje.
Serbia humbi rastin e vet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur kërkoi një opinion këshillues rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe politikat e saj në Kosovën Veriore kanë krijuar probleme serioze me krimin e organizuar dhe dhunën politike, të cilat tashmë kanë vonuar hapjen e negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE.
Ngadalësimi i gjërave nuk i ndihmon Beogradit, nëse këto e dëmtojnë prospektin e Serbisë për në BE dhe rezultati eventual i Kosovës është i njëjtë. (LajmeShqip.com)