Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 15:02

Beograd – Marko Djuric, këshilltar i Presidentit të Serbisë Tomislav Nikolic, ka thënë se Serbia do të ndërmarrë një fushatë për t’u shpjeguar vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, se marrëveshja e arritur në Bruksel nuk është hap drejt njohjes së pavarësisë, por hap drejt normalizimit.

Sipas tij, Serbia po i normalizon marrëdhëniet me një pjesë të territorit të saj.

“Ne do të fillojmë një fushatë që t’i shpjegojmë shteteve se kjo nuk është hap drejt njohjes, por hapë drejt normalizimit të marrëdhënieve, që do të kurorëzohet me miratimin e ligjit kushtetues me të cilin konfirmohet autonomia e Kosovës dhe Metohisë” ka thënë ai.

Djuric ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet as anëtare e OKB’së e as e BE’së, pasi kjo e fundit mohohet nga Traktati I Lisbonës.

Ai ka thënë se Serbisë nuk mund t’i vihet kush njohja e pavarësisë pasi ka edhe vende të BE’së që nuk e kanë njohur pavarësinë.

Djuric ka pohuar se implementimi i marrëveshjes është shumë i rëndësishëm dhe se është paraparë formimi i disa komisioneve që do ta mbikëqyrin implementimin.

Sipas zyrtarit serb, procesi i implementimit do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e Brukselit dhe se për këtë kyç do të jenë njerëzit e Kabinetit të Ashton.(GE/LajmeShqip.com)