Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 17:46

Sarajevë – Bosnjë e Hercegovina arriti zhvillim të konsiderueshëm nga periudha e pas luftës në vitet e 90-ta, por gjatë katër apo pesë viteve të kaluara nuk po lëvizë në drejtimin e duhur, deklaroi sot në Sarajevë ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Filip Gordon.

“Në mënyrë të rrezikshme është rritur retorika nacionaliste, institucionet shtetërore dhe Traktati i Dejtonit janë kontestuar, ndërsa nuk kanë munguar edhe përpjekjet që të pengohen reformat e domosdoshme për bashkim drejt BE-së dhe NATO-s”, deklaroi diplomati amerikan.

Në një konferencë në Sarajevë me temë “Ballkani Perëndimor: Zhvillim, ngecje ose regresion”, Gordon theksoi se nëse në BeH vazhdojnë tendencat negative, ajo rrezikon të mbetet pas vendeve të tjera në rajon.

“Që të kthehet në rrugën e vërtetë, BeH duhet të funksionojë si shtet dhe të zbatojë reforma me të cilat do t’i plotësojë kërkesat e BE-së dhe obligimet ndërkombëtare”, deklaroi Gordon, duke theksuar se vetëm integrimi më i madh në Evropë mund të sigurojë stabilitet të BeH-së dhe mundësi më të mëdha për qytetarët e saj.

Gordon paralajmëroi se politikanët në BeH për momentin janë të prirur për nxitjen e druajtjeve etnike dhe drejt luftës për interesat personale politike, dhe u bëri thirrje ta përshpejtojnë formimin e institucioneve shtetërore me Traktatin e Dejtonit, që janë të domosdoshme për zhvillimin e BeH-së drejt integrimit euroatlantik.