Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 21:55

Sana – Forcat jemenase të sigurisë lojale të presidentit Ali Abdullah Saleh, i cili sot u plagos në një sulm mbi xhaminë në pallatin presidencial në Sana, po kryejnë sulme mbi shtëpitë e liderëve fisnorë me ndikim në kryeqytetin e Jemenit.

Sipas autoriteteve të Jemenit, pas sulmit mbi pallatin presidencial, në të cilin janë plagosur edhe shtatë funksionarë të lartë shtetërorë, ndërsa të paktën katër gardistë janë vrarë, qëndron fisi Hashed, prijës i së cilit është Sadik al Ahmar. Ai i përgënjeshtroi akuzat se grupi i tij qëndron pas sulmeve dhe deklaroi se autoritetet me gënjeshtra po përpiqen ta arsyetojnë eskalimin e përleshjeve në rrugët e Sanas.

Sulmi raketor u ekzekutua sot, kur në xhami mbahej lutja e së premtes, në të cilën morën pjesë funksionarë të lartë shtetërorë.

Në mesin e të plagosurve në sulm janë edhe kryeministri i Jemenit Muhamed Muxhavar, zëvendës-kryeministri gjenerali Rashad al Alimi, kryetari i Parlamentit Jahja al Raji dhe guvernatori i provincës Sana, Numan Dveid. Raji, Alimi dhe Dveid janë plagosur rëndë, ndërsa janë vrarë katër pjesëtarë të Gardës elite republikane.