Lajme Shqip Sunday, 01 November 2015 09:56

Ndonëse tashmë kanë kaluar 24 orë pas aksidentit të avionit “Airbus A321-200” të kompanisë ruse “Metrojet”, nga i cili kanë vdekur 224 personat që gjendeshin në bord, është shumë herët të kuptohen shkaqet e tragjedisë.

Prandaj, ajo që mund të bëhet është të përshkruhen veprimet e hetuesve dhe ajo që ata mund të zbulojnë.

Ndërsa, marrja e përgjegjësisë nga organizata xhihadiste “Shteti Islam” (ISIS), e cila thotë se e ka rrëzuar avionin, duhet të merret me rezervë.

Vetëm pas analizave të para të elementeve të gërmadhës do të mundë të thuhet nëse avioni ka rënë në tokë i kompletuar apo nëse është copëtuar gjatë fluturimit.

Në rastin e parë është e mundur të precizohet nëse ka pasur ndonjë përpjekje për aterrim emergjent në këtë zonë malore të Sinait-Verior.

Nëse pjesët gjenden larg njëra-tjetrës, mund të shqyrtohet mundësia e copëtimit gjatë fluturimit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Një analizë më e detajuar do të tregojë nëse ka pasur ndonjë shpërthim nga brenda (bombë, ulje e menjëhershme dhe shpërthyese e presionit ), ose nga jashtë (raketë, përplasje me ndonjë fluturake tjetër).

Në këtë rajon, prania e xhihadistëve të organizatës “Shteti Islam” ka rezultuar me publikimin e një “Notam”, një informacion i dedikuar për pilotët, i cili kërkon prej tyre të mos fluturojnë në lartësi të ulëta në mënyrë që t’i shmangen rrezikut të goditjes nga ndonjë raketë e kategorisë “Manpads”, e rrezikshme deri në 3.000 metra.

Por, “Airbus” rus, i cili sipas të dhënave të fundit të radarëve fluturonte në lartësi 10.000 metra, ishte jashtë rrezes së këtij rreziku.

“Nuk ka asnjë shenjë që lë të kuptohet se avioni është rrëzuar pasi është qëlluar”, kanë nxituar të thonë autoritetet egjiptiane. Asnjë shkrepje rakete nuk është vërejtur në rajon.

Një problem teknik i paraqitur, moti i mirë

Pilotët, ndërkaq, duket të kenë lajmëruar për një problem teknik në komunikim dhe kanë kërkuar leje të bëjnë një gjysmëkthesë dhe të kthehen në Sharm el-Sheikh, prej ku ishin nisur të shtunën në mëngjes.

Në faqen “Flightradar”, i cili mundëson ndjekjen e trajektores së avionëve të udhëtimeve, është regjistruar një humbje e lartësisë për 5.000 këmbë në 20 sekonda, gjë që korrespondon me një ulje emergjente të pilotuar dhe jo për një rënie të pakontrolluar.

Duhet sqaruar se një gjysmëkthesë shoqërohet gjithmonë me një humbje të lartësisë për të mos fluturuar në të njëjtën “korsi” në drejtim të kundërt dhe për të rrezikuar një përplasje me avionët që ndjekin të njëjtin itinerar.

Përveç gjurmëve të radarit, hetuesit do të përqendrohen në radio-kontaktet e fundit të shkëmbyera nga pilotët me qendrën egjiptiane të kontrollit. Ata kanë pasur ndonjë arsye meqë kanë kërkuar të bëjnë një gjysmëkthesë drejt Sharm el-Sheikh.

Dhe, sigurisht, dy kutitë e zeza janë mjete të qenësishme për të analizuar dhe kuptuar më shumë rreth aksidentit. Kutia e parë e zezë (Cockpit Voice Recorder) përmban zhurmat në kabinën e pilotëve, duke përfshirë bisedat ndërmjet anëtarëve të ekuipazhit, por edhe alarmet eventuale apo hyrjen e ndonjë personi në kabinë.

Kutia e dytë, (Flight Data Recorder) përmban mijëra parametra që mundësojnë të kuptohet sekondë për sekondë i gjithë fluturimi, shkruan “Zëri”.

Duket se hipoteza e vetme që përjashtohet në këtë rast është moti i keq.

Një hetim egjiptian, rus e francez

Meqë aksidenti ka ndodhur në territorin egjiptian, komisioni hetimor do të drejtohet nga Aviacioni Civil i Kajros.

Kështu parasheh aneksi 13 (për aksidentet) i Konventës së Organizatës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, i cili rregullon aviacionin në botë.

Rusia do t’i bashkohet këtij komisioni si pronar i kompanisë ajrore të prekur. Po ashtu, do të ftohet edhe Zyra franceze për Hetime dhe Analiza, sepse avioni është prodhuar nga “Airbus”.

Në mesin e ekspertëve do të thirren edhe ata të “Rolls Royce”, prodhuesi i motorëve.

Kur u prodhua dhe i kujt është avioni?

“Airbus A321-200”, i cili është rrëzuar të shtunën është modeli më i madh i gamës “A320”.

Me 224 persona në bord, avioni i fluturimit K-9268, i cili ishte nisur nga Sharm el-Sheikh drejt Shën-Petersburgut, praktikisht ishte komplet.

Kjo fluturake, e cila nga fabrika ka dalë në maj 1997, nuk është as e dorës së fundit, as e vjetër. Mund të cilësohet si në mes të jetës.

Ai nuk i përket drejtpërdrejt kompanisë “Metrojet” (i emëruar edhe Kogalym Avia, Kolavia), i cili e shfrytëzonte që nga viti 2012, por i qiradhënësit amerikan ILFC.

Avioni është shfrytëzuar më herët nga “MEA”, “Onur Air”, “Saudi Arabian”.

“Metrojet”, kompani e vogël ruse, e cila shfrytëzon një duzinë fluturakesh, realizon fluturime kryesisht drejt vendeve turistike të lakmuara nga rusët. /ZËRI/