Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 14:59

Shkup – “Maqedonia gjendet në udhëkryq midis të kaluarës dhe të ardhmes. Tash është momenti kur lidershipi duhet ta njohë “mundësinë e hapur” dhe ta zgjidhë kontestin e emrit”, ka thënë ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Filip Riker.

Ai ka sygjeruar elitat politike t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe të punojnë për një të ‘nesërme më të mirë’ për qytetarët e Maqedonisë, të cilët i dhanë verdiktin për të sjellë vendime për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe për më shumë prosperitet.

“Pas zgjedhjeve të 5 qershorit, të cilat u realizuan shumë mirë, ne besojmë se tani është koha për t’iu dhënë fund negociatave me Greqinë, që po zhvillohen përmes Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Riker, duke shtuar se ka shumë spekulime lidhur me mendimin e diplomatëve për çështjen e kontestit të emrit.

“E di se ka shumë spekulime për atë se çka mendojmë për këtë çështje, që para tre viteve kur erdha këtu në Maqedoni. Të gjithë e dimë se në Maqedoni ka spekulime dhe shumë njerëzve u intereson se kush me kë pi kafe dhe çka mendojnë diplomatët për këtë çështje. Por, mos bini pre e këtyre spekulimeve dhe atyre që thonë se e dinë mendimin tim. Porosia jonë rreth çështjes së emrit është e qartë, ashtu sikur edhe për çështje të tjera”, ka thënë Riker.

Diplomati amerikan sërish ka potencuar se, pa zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe përmbushjen e reformave, Maqedonia e ka shumë të vështirë të anëtarësohet në BE dhe në NATO.