Lajme Shqip Friday, 24 July 2015 09:24

​Mazhoranca dhe opozita përplasen për luftën kundër trafikimit të drogës. Shkak është bërë marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit.

 Opozita e ka mbështetur këtë marrëveshje, por ka shfrytëzuar momentin për të akuzuar qeverinë se nuk ka luftuar kanabisin. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se, Shqipëria është kthyer në vendin e kanabisit.

Por në përgjigje, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, sollën shifrat e luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike. Akuzat mes palëve nuk kursyen as familjarët e deputetëve. Ish-kreu i qeverisë akuzoi ministrin Tahiri si gënjeshtar, ndërsa i ktheu në vëmendje gjyqin ndaj tij për shpifje. Në përgjigje, ministri i kujtoi Berishës se janë fëmijët e tij Shkëlzen dhe Argita Berisha, të cilët duhet të paraqiten para drejtësisë. Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Policia e Shtetit është në drejtimin e duhur në betejën kundër krimit.

Debatet

 “Kanabis po bëhet sinonim i Partisë Siçiliste, po bëhet sinonim, mjerisht, i vendit. Shqipëri po shndërrohet në Shqipëri kanabiste, dhe kjo e tëra, sepse ky grup drejtues i vendit, duke krijuar një situatë ekonomike katastrofale, që po rrokulliset çdo ditë, ka gjetur si alternativë mbjelljen masive të kanabisit, gjë e cila ju garantoj se, po nuk u ndalua, do shndërrojë këtë vend në një nga vendet më fatkëqija të botës”, deklaroi Berisha nga foltorja e Parlamentit. Por ai shkoi edhe më tej, ndërsa tha se efektivi i forcave RENEA në Lazarat është vrarë nga miqtë e qeverisë. Në përgjigje të kësaj akuze reagoi kryeministri Edi Rama, i cili tha se, “kjo nuk është më një çështje politike, kjo është një çështje psikiatrike”.

“Kjo nuk është më një objekt i mundshëm i një debati politik, kjo është padyshim një objekt pune i spitalit psikiatrik”, tha ai. Ndërkohë që Berisha solli më tej në vëmendje raporte të Departamentit Amerikan të Shtetit, në disa vite, të cilat, sipas tij, vlerësonin qeverinë e kaluar. Por ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri theksoi se Shqipëria në 2014, për herë të parë në historinë e vet, doli nga lista e vendeve që shërbejnë si vendburim në kultivimin e lëndëve narkotike.

“Vetëm para dy ditësh sekretari Kerry nisi një letër ku falënderonte Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeministrin, Qeverinë shqiptare për rezultatet, për bashkëpunimin, për partneritetin në luftë kundër terrorizmit, në luftë kundër krimit të organizuar”, tha ai, ndërsa shtoi se edhe kjo marrëveshje është shembull i vlerësimit të punës së bërë nga qeveria. E ndërkohë Berisha e akuzoi Tahirin si gënjeshtar e mashtrues, duke i kujtuar një vendim gjykate, sipas të cilit, ministri dënohet me gjobë për shpifje ndaj djalit të ish-kryeministrit, Shkëlzen Berishës.

“Më cituat një vendim këtu, do e paguaj. Do e paguaj, mos ki merak. Jam dënuar, i akuzuar prej djalit dhe vajzës tënde. Nuk kam thënë ndonjë gjë të madhe. Kam thënë që djali juaj ishte i përfshirë në Gërdec. Dhe vajza juaj kërkoi 3 % të një konsensioni që duhej ta firmosnit ju si kryeministër. Dhe “sypeshkaqenit” do ia paguaj paratë që i kam borxh nga vendimi i Gjykatës që dha Gjin Gjoni! Nuk kam asnjë paragjykim për Gjin Gjonin. Por nuk di pse për mua është simbol i korrupsionit në sistemin gjyqësor, që e mbroni ju”, iu kundërpërgjigj ministri.

Por sipas Berishës, fëmijët e tij nuk kanë përdorur asnjë qindarkë nga sektori publik. “Gjatë gjithë jetës së tyre nuk kanë përfunduar, qoftë edhe një qindarkë, nga marrëdhëniet me sektorin publik. Për më tepër fëmijët e mi kanë deklaruar çdo gjë kur nuk kishin asnjë detyrim ligjor se ua kam kërkuar unë”, – tha ai. Por në përgjigje të paraardhësit të tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se faktet tregojnë më së miri se Policia e Shtetit është në drejtimin e duhur.

 “Unë jam shumë krenar që t’ju rikujtoj se qysh nga janari i këtij viti deri sot, Shqipëria ka më pak se 50 % të numrit të vrasjeve të të gjitha viteve të mëparshme. Pra, që nga viti kur ka një regjistër statistikash, 1992, më pak se 50 %, krahasuar vit pas viti. Kjo është shprehje kuptimplotë e një procesi, në të cilin ne e kemi futur Policinë e Shtetit dhe luftën me krimin. E një procesi që është së larg së qeni i përfunduar, është larg së qeni i përsosur, por është padyshim një proces me rezultate të pamohueshme. Janë këto rezultate që kanë sjellë një rritje të mbështetjes edhe të SHBA-ve, në raport me gjithë sektorin dhe ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit të marra së bashku, edhe nga Bashkimi Evropian, edhe nga Komisioni Evropian”, deklaroi Rama. Ai solli në vëmendje edhe bashkëpunimin me FBI-së, ndërsa dhe garantoi se do të ngrihet dhe Byroja e Hetimit. Pas debateve mes tyre, mazhoranca dhe opozita votuan pro marrëveshjes me SHBA-në edhe pro 6 marrëveshjeve me Gjermaninë.

Amnistia për ndërtimet pa leje

Kuvendi miratoi dje me 96 vota pro ndryshimet në ligjin “Për dhënie amnistie”. Ndryshimet në këtë ligj i hapin rrugë dhënies së amnistisë për të gjithë personat që dënohen për ndërtime të paligjshme, si ata që ndërtojnë në tokën e tyre dhe ata që ndërtojnë në tokë publike. Për të ligjëruar këtë, në nenin 3 të ligjit bazë, ku përcaktohen kriteret për të fituar amnistinë, shtohet dhe një pikë me këtë përmbajtje:

 “Personat e dënuar me burgim për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a, të Kodit Penal, kur vepra penale është kryer jo më vonë se data 10 prill 2014”. Në nenin 5 të ligjit “Për dhënie amnistie” sanksionohet se amnistohen nga ndjekja penale të gjithë personat, të cilët deri në datën 31dhjetor 2013 kanë kryer vepra penale, që parashikojnë një dënim në maksimum deri në dy vjet burgim ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë, duke përfshirë në këtë mënyrë ata që ndërtojnë pa leje në tokë të vet, por ndërkohë që përjashtohen nga amnistia personat që ndërtojnë pa leje në tokë të tjetrit apo në tokë të shtetit. Për këtë arsye u bënë dhe ndryshimet e miratuara dje.

Replikat dhe akuzat mes deputetëve dje në seancë plenare

Berisha: Këtu ministrat shajnë nga mbrapa.

Tahiri: Nuk shava, thashë gënjen….

Berisha: Je i dënuar me 1 milionë lekë për shpifje.

Tahiri: Ndaj kujt, ndaj vajzës tende? Ndaj kujt, ndaj sypeshkaqenit?

Berisha: Je shpifës, je i dënuar nga gjykata

Balla nga vendi pa mikrofon: Na lexo pak emrat e gjyqtarëve që kanë dhënë dënimin

Berisha: Mos fol t’i se kam edhe për ty unë, ke dosjen e shpifjes këtu ti.

Tahiri: Mirë, mirë se do t’i paguaj lekët….

Berisha: Kujt do ja paguash, Durim Bamit do ja paguash? Partia e kanabisit e ka mbush sërish Shqipërinë me drogë… Unë ju them juve që i gjithë grupi i Xibrakës është i lidhur me Edi Ramën. E dini ju që Gentjan Hodaj është miku më i ngushtë i vëllait të Ramës?

Braçe nga vendi: Tani është kushëriri apo miku?

Berisha: Po them për mikun mos më ndrysho fjalët… Më thoni pak me cilat para financohet gazeta e “Hakmarrjes për drejtësi”, me paratë e drogës, janë çunat e Arta Dades. Dade flet përçart për fishekë dhe do t’i them këtu se në vitet 1992-1996 kemi dhënë barut dhe fishekë. Po. Ju kemi dhënë atyre që i kanë derdhur plumb Millosheviçit dhe e mundën atë… Mësuesja më ka thënë në klasë të tretë mos fol gjëra që nuk i di…

Tahiri: Sali pse nuk dëgjove mësuesen Sali, se do kishim rënë rehat në këtu në Parlament…

Berisha qesh nga vendi

Tahiri – Berishës: Nuk ke pse qesh se mua do më vinte turp nëse djali dhe vajza janë të përfshirë si sekserë. Pse nuk e çon në prokurori këtë ministrin këtu (Aldo Bumçin) që bënte shkresë zyrtare me emrin e Shkëlzen Berishës?

Berisha: Me individë që flasin nën ndikimin e drogës nuk ia vlen të merresh. Ti nuk je vetëm përdorues droge, ti ke shkuar deri në vetëvrasje, je biri i prindërve kontrabandiste, ti je një element inkriminuar i Shullazit. Për Ibrahim Bashën gënjyet si ordiner. Momentin e vrasjes policia braktisi Lazaratin. Po kush e vrau atë, po miqtë e qeverisë. Djali im ka dhënë çdo sqarim dhe është prokuroria e Ina Ramës që tha se faksi ishte i falsifikuar.

Balla nga vendi pa mikrofon: Po baxhanaku juaj?

Rama: Kur thuhet se dëshmorin e RENEA-s e vrau ministri me miqtë e tij kjo nuk është më çështje politike po çështje psikiatrie, për spitalin psikiatrik. Ky këtu (për Palokën) e ka humbur një betejë në gjykatë dhe u deklarua si shpifës. Nuk e di si do të përdor paratë që do të marr prej tij po mendoj të hap një sesion terapie psikike për të zbutur shpifësit. Një kujtesë në fund nga Sokrati – i thanë – ti pse nuk i përgjigjesh akuzave e shpifjeve? Ai tha se: shpifësi është si qeni bastard, kur nuk e ke mendjen ai të kafshon.

Paloka: Këtë për shpifjen mund t’ia thotë edhe ministrit të vet se është dënuar për shpifje. Kam kërkuar testin e drogës për ministrin dhe kryeministrin. Ky e ka kthyer kryeministrinë në cirk, ky edhe kur vjen kancelarja i tregon muret…

Rama: Besojeni se nuk është i droguar, as i pirë se sot ka nis punën herët dhe s’ka pas kohë me u rrumbullakos. Nuk është as i rrjedhur, por i lumtur. Herën e shkuar ju tregova definicionin e kësaj lumturie, duhet të jesh budalla që të gëzosh kaq nivel lumturie. Për të qenë i lumtur i këtij lloji duhet të kesh inteligjencë që të hapësh gojën jo më shumë vetëm kur do bukë…

Paloka: Unë s’jam as i droguar e as i dehur se do isha i zverdhur, siç bëhesh ti kur del nga banja, i zverdhur komplet dhe kruan kokën.

Kokëdhima: Kanabisi mjekësor, në interes të shëndetit

Deputeti socialist, Koço Kokëdhima, i’u është kundërpërgjigjur akuzave të ish-kryeministri Sali Berisha se ka kërkuar legalizimin e drogës. Sipas Kokëdhimës, deklaratat e Berishës janë shpifjet e një gënjeshtari. “Unë e kam përshëndetur me vetëdije të plotë Policinë e Shtetit për të gjithë luftën e pakompromistë ndaj ekonomisë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri. E kam përshëndetur të gjithë këtë punë të madhe që u bë nga qeveria jonë për të reduktuar dhe eliminuar këtë ekonomi kriminale. Asnjëherë nuk i kam ftuar shqiptarët të sfidojnë ligjin. Asnjëherë, as nuk e kam bërë dhe as do ta bëj, as për çështjet e kanabisit e as për një çështje tjetër. Njerëzit që implikohen në shkeljen e ligjit, mbeten humbës”, tha Kokëdhima. Ai ka sqaruar se deklaratat e tij kanë të bëjnë me legalizimin e kanabisit mjekësor.

 “Sot ilaçet me bazë kanabisi mjekojnë me efektivitet mbi 170 sëmundje dhe rreth 70 sëmundje nuk kanë mjekime të efektshme alternative, përveçse mjekimeve me bazë kanabis. Gjysma e SHBA-ve e kanë legal kanabisin mjekësor. E ka legal Izraeli, Franca, Suedia, Danimarka etj. Pse duhet të kemi hezitim të diskutojmë për të drejtat e mijëra dhe dhjetëra mijë pacientëve shqiptarë për t’u trajtuar me ilaçet e domosdoshme për sëmundjet e tyre, të kompleksohemi dhe të kemi frikë se do të shpifë Saliu për ne!”, tha ai. Kokëdhima shtoi se, në qoftë se në të gjithë botën për kërpin industrial parashikohet si kufi ligjor niveli i lëndës narkotike më i vogël ose baras me 3%, në Shqipëri edhe ky parametër është tri herë më i vogël, gjë që e bën jo konkurrues kërpin këtu. Ligjvënësi socialist solli më tej në vëmendje se sot kemi rreth 30 shtete demokratike që lejojnë kanabisin narkotik “Edhe Italia është në rrugën e legalizimit të kanabisit”, deklaroi Kokëdhima.