Lajme Shqip Saturday, 28 July 2012 16:30

Londër – Qindra persona, të gjithë çiklistë, janë arrestuar mbrëmë pasi u përleshën me Policinë metropolitane të Londrës në afërsi të Parkut Olimpik.

Incidenti ka ndodhur rreth orës 22:30 derisa vazhdonte ceremonia e hapjes solemne të Lojërave Olimpike. Çiklistët janë grumbulluar paraprakisht në “çiklizmin e zakonshëm të tyre” nëpër rrugën e Londrës Lindore, por janë ndaluar nga policia kur kanë dashur të bëjnë çiklizëm në trasenë e zakonshme, e cila tani është e mbyllur për shkaqe sigurie për shkak të mbajtjes së Olimpiadës.

Kur çiklistët më të revoltuar kanë tentuar me forcë të kalojnë policia ka përdorur forcën, duke mos i lejuar grupit ta vazhdojë lëvizjen, por edhe të kthehet mbrapa.

Një përfaqësues i policisë deklaroi se janë arrestuar për shkeljen e rendit publik, si dhe për tentimin për pengimin e ceremonisë së hapjes së Lojërave. Çiklistët pohojnë se nuk kanë pasur qëllime të tilla, edhe pse e pranojnë se në mesin e tyre ka pasur çiklistë të cilët janë kundër Olimpijadës dhe mbajtjes së saj në Londër. (LajmeShqip.com)