Lajme Shqip Wednesday, 09 September 2015 14:26

Gjermania ka thënë se është e gatshme të pres 800 mijë emigrantë vetëm gjatë këtij viti, ndërsa e tij zëvendës-kancelari Sigmar Gabriel ka thënë se vendi do të pasurohet aktivisht për secilin vit me nga gjysmë milioni emigrantë.

Ndërkohë, sipas “DailyExpress”, David Cameron njoftoi Britania do të pranojë deri në 20 mijë emigrantë gjatë pesë viteve të ardhshme, që do të thotë se deri në vitin 2020 është e gatshme të pranojë nga 4 mijë emigrantë për çdo vit.

Por pse një dallim kaq i madh?!

Kohëve të fundit shumë është theksuar fakti se popullsia e Gjermanisë është në rënie të shpejtë – që do të thotë se vendi po bëhet gjithnjë e më i varur nga punëtorë nga jashtë.

Në anën tjetër, Mbretëria e Bashkuar është parashikuar të bëhet vendi më i madh në Evropë vetëm brenda dy dekadave të ardhshëm, me një shtim të popullsisë prej 21 milionë banorë, duke bërë që të arrijë numrin në 85 milionë banorë.

Shifrat e fundit, të publikuara nga organi zyrtar i statistikave të BE-së, Eurostat, tregojnë se deri në vitin 2080, numri i banorëve që jetojnë në Gjermani do të ketë rënie për 15 milionë.

Kjo do të thotë se brenda 22 viteve, popullsia e Britanisë do t’i zë ato të Francës dhe Gjermanisë.

Dhe brenda 60 viteve, Britania e Madhe do të ketë 20 milionë banorë më shumë se sa Gjermania – duke u bërë shteti më i populluar në kontinent, transmeton lajmi.net.

Ndërsa, edhe Franca përballet me një situatë të ngjashme sikurse Britania, me një popullsi që pritet të rritet për 12 milionë banorë, duke arritur shifrat e 78 banorëve.

Kjo edhe shpjegon faktin se pse presidenti francez kohët e fundit njoftoi planet për të strehuar 24 mijë refugjatë – një numër i ngjashëm me Mbretërinë e Bashkuar – dhe shumë më i vogël se ai i Gjermanisë.

Kryetari i Londrës Boris Johnson deklaroi këtë javë se gatishmëria e Gjermanisë për të marrë numër të madh refugjatësh ishte “logjikë ekonomike”, ndërsa Britania është e kufizuar në këtë drejtim pasi është duke përjetuar një “bum në popullsi”, ku shkollat nuk po kanë hapësirë për t’i zënë nxënësit, dhe me kërkesa për rritje të hapësirave që janë duke ardhur gjatë gjithë kohës.

Një fenomen tjetër që hedh dritë mbi mospërputhjen e madhe mes gatishmërisë së vogël të Britanisë dhe bujarisë së Gjermanisë për të pranuar refugjatë në anën tjetër, është numri i punëtorëve që paguajnë taksa dhe pensionistëve.

Rritja e numrit të pensionistëve që marrin nga shteti dhe nuk i japin atij në Gjermani është shumë më e madhe se ajo në Britani.

Në Gjermani, numri i njerëzve me moshë të aftë për punë (20-64 vjeç) është parashikuar të bjerë me rreth 30 për qind deri në vitin 2060.

Ndërsa numri i njerëzve në Britani të Madhe të kësaj moshe, të aftë për punë, pritet të rritet me rreth 10 për qind, deri në atë vit.