Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 18:18

Shkup – Projekti “Shkupi 2014” i përmendoreve në sheshin e Shkupit nga viti 2008 deri tani ka arritur një shifër financiare mbi 207 milion euro.

Kjo u bë e ditur sot në një konferencë të përbashkët nga ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska – Milevska, kryetari i deritanishëm i komunës Qendër, Vladimir Todoroviq dhe drejtori i Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë së Maqedonisë.

Ministrja e Kulturës Kançeska – Milevska theksoi se konferenca është thirrur për të parandaluar të gjitha spekulimet dhe defokusimin e opinionit lidhur me realizimin e këtij projekti. Në këtë konferencë në detaje janë prezantuar të gjitha specifikacionet dhe dokumentet për të gjitha harxhimet dhe investimet financiare për objektet, skulpturat dhe përmendoret e përfshira në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.

Ministrja Kançeska – Milevska tha se të gjitha projekt – marrëveshjet kanë qenë transparente dhe të publikuara nga Byroja për furnizime publike.

Duke u pyetur se përse është tejkaluar shuma prej 80 milion eurove ashtu siç ishte prezantuar projekti “Shkupi 2014” në vitin 2008, ministrja Kançeska – Milevska tha se kjo shumë ishte si fazë fillestare dhe se shumë ndërtime nuk ishin paraparë në projektimin e parë.

“Kjo shumë prej 207.872.492 euro është bërë nga rindërtimet dhe plotësimet, zgjerimet, por megjithatë nuk bëhet fjalë për 500 milion apo

1 miliardë euro, ashtu siç dëgjojmë nga disa media. Këto spekulime aspak nuk janë të vërteta”, theksoi ministrja e Kulturës.

Financimet nga Ministria e Kulturës

33 skulptura – 886 mijë euro

3 shelgjet –      270 mijë euro

“Porta Maqedoni” –  mbi 5,1 milion euro

Muzeu për Luftën Maqedonase – 13, 3 milion euro

Teatri i Vjetër i Shkupit ( i papërfunduar) – 36,8 mil

ion euro

Filharmonia e Shkupit ( i papërfunduar)  – 7,4 milion euro

Muzeu Arkeologjik – 8,2 milion euro

 

Financimet nga Komuna Qendër

Totali prej 55 milion e 418 mijë euro

 

Drejtoria për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë së Maqedonisë (SOZR)

Ndërtesa e Ministrisë së Jashtme – 19,2 milion euro

 
Ndërtesa e Prokurorisë dhe Policisë Financiare – mbi 14 milion euro (akoma pa përfunduar)

Objektet e Gjykatës Kushtetuese, Muzeut Arkeologjik dhe Arkivit Shtetëror – 27,6 milion euro

Si dhe projekte tjera ndërtimore prej rreth 10 milion euro.

Ministrja e Kulturës dhe kryetari i deritanishëm i komunës Qendër, Todoroviq kanë theksuar se nuk frikësohen nga asnjë lloj revizioni dhe se projektet janë realizuar plotësisht në mënyrë transparente. Ministrja Kançeska – Milevska theksoi se me këtë projekt nuk janë penguar investimet në sektorë të tjerë. Sipas saj për ndërtimin dhe realizimin e projektit, në vitin 2008 janë ndarë 0,5 për qind nga buxheti shtetëror, 2009 – 0,76 për qind, 2010 – 1,1 për qind, 2011 – 2,2 për qind, 2012 – 1,6 për qind dhe 2013 – 1,3 për qind nga buxheti i përgjithshëm vjetor. (INA/LajmeShip.com)