Lajme Shqip Saturday, 06 April 2013 20:32

Pas përfundimit të mandatit të saj pesëvjeçar – në fund të vitit 2014 – përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, do të marrë një pagesë prej 470,000 eurove, njofton gazeta britanike ‘Daily Telegraph’.

Gjatë tri viteve të ardhshme Ashton këto 470,000 euro do t’i marrë nga tatimpaguesit britanikë, sqaron gazeta. Sipas hulumtimit të‘Daily Telegraph’, deri në fund të vitit 2017, Ashton do të marrë nga 133000 funta (157,000 euro).

“Ajo do të marrë këto para transicionale xhepi, dhe nuk do të ketë nevojë të punojë asgjë. Të ardhurat do t’i ketë në përputhje me kamatat e ulura të BE’së, e jo në përputhje me nivelet standarde të kamatave britanike pë personat që marrin rroga më të mëdha”, thuhet në gazetë.

Sipas rregulloreve europiane, “paratë e xhepit paraqesin çmimin e “pavarësisë së përgjithshme” të zyrtarëve më të lartë të BE’së, siç është rasti me Ashton e cila është nënkryetare e Komisionit Europian.

Zëdhënësi i Komisionit Europian deklaroi se, është shumë me rëndësi që komisarët të mos kërkojnë nj punë të re gjatë muajve të fundit të mandatit të tyre, dhe që atyre t’iu sigurohet kohë e mjaftueshme për gjetjen e një vendi të ri dhe adekuat të punës.

“Në këtë mënyrë, ata mund të vazhdojnë të japin qind përqindëshin nga vetja, për ç’gjë edhe paguhen nga taksapaguesit. Natyrisht, edhe rreziku për shfaqjen e ndonjë konflikti të interesit është më i vogël”, tha ai.

Pas largimit nga posti, për të cilin Ashton paguhet 287,543 funta (338.500 euro) në vit, ajo menjëherë do të fillojë të marrë nga 23,962 funta (28,000 euro) në muaj.

Kjo shifër nuk do të ulet, përveç nëse Ashton punësohet, dhe nëse rroga e saj e ardhshme vjetore është më e lartë se 134,000 funti (158,000 euro), gjë që Ashtonit i mundëson që, për shembull, të zë një vend në Parlamentin e Britanisë, ku do të paguhej nga 300 funta në ditë, duke mos mbetur as pa “paratë e xhepit” nga BE’ja.(LajmeShqip.com)