Lajme Shqip Monday, 18 February 2013 15:47

ÇEKI- Policia çeke ka nisur hetimin e investimit të CEZ në Shqipëri. Lajmi konfirmohet nga agjencia prestigjoze Reuters, sipas së cilës policia kundër korrupsionit po heton katër marrëveshje të grupit energjetik, përfshirë këtu edhe investimin e CEZ-it në Shqipëri.

E pyetur pas një artikulli të publikuar në gazetat çeke, zëdhënësja e CEZ, Barbara Pulpanova tha për Reuters se policia ka nisur të mbledhë informacione që prej më shumë se një viti në lidhje me këto marrëveshje.

“I kemi dhënë vazhdimisht informacionet e kërkuara policisë”,- tha Pulpanova, por pa dhënë detaje të mëtejshme. Ndërkohë, as policia antikorrupsion dhe as ajo bashkiake nuk kanë bërë komente në lidhje me këtë lajm. Sipas agjencisë Reuters, një prej hetimeve përfshin edhe CEZ Shpërndarje, së cilës iu hoq licenca në janar të këtij viti.

“CEZ mund të humbasë deri në 200 milion euro nga investimi i tij në Shqipëri dhe e ka cuar cështjen në arbitrazh, kundër shtetit ballkanik”-raporton Reuters. Lajmi konfirmohet edhe nga Fox Neës, agjenci e cila citon një tjetër zëdhënës të grupit çek, Ladislav Kriz. Ky i fundit konfirmon se në 6 javët e fundit policia çeke ka kërkuar informacione specifike lidhur me transaksionet e kryera nga CEZ.

Në hetimin e policisë çeke është gjithashtu shitja e 50 % të aksioneve të minierës së qymyrgurit Mibrag në Gjermani dhe marrëveshja për furnizimin e magazinave në impiantin e energjisë bërthamore Temelin të CEZ lidhur me dyshimet për shkelje të ligjeve të prokurimit.

Në një lajm të publikuar sot në të përditshmen ‘Pragë Daily Monitor’, zëdhënësja e grupit energjetik CEZ, Pulpanova deklaron se grupi ka realizuar që nga viti 2005 investime jashtë vendit me një vlerë rreth 2.8 miliardë euro dhe nga këto investime problemet më të mëdha i ka hasur në Shqipëri.

Megjithatë sipas zëdhënëses, CEZ pret rikthimin e të gjithë investimit të vet jashtë vendit, përvec se në Shqipëri, për shkak se autoritetet shqiptare i hoqën licencën grupit çek dhe kështu CEZ humbi kontrollin e firmës së tij të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.(LajmeShqip.com)