Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 19:04

Sanë – Presidenti i Jemenit, Ali Abdulla Saleh dhe shtatë funksionarë të tjerë të lartë shtetërorë sot janë plagosur, ndërsa të paktën katër gardianë janë vrarë në një sulm raketor ndaj xhamisë, e cila gjendet një pallatin presidencial në Sanë.

Saleh, siç deklaruan burimet nga forcat jemene të sigurisë, është më lehtë i plagosur në qafë, plaga është mjekuar në vendin e ngjarjes dhe ai së shpejti pritet t’u drejtohet qytetarëve.

Një televizion i opozitës jemene paraprakisht njoftoi se presidenti është vrarë në sulmin e forcave fisnore ndaj pallatit të tij, por autoritetet zyrtare së shpejti e demantuan këtë lajm, duke precizuar se Saleh është vetëm lehtë i plagosur.

Midis të plagosurve në sulmin janë edhe kryeministri i Jemenit Muhamed Muxhavar, zëvendës-kryeministri gjeneral Rashad al Alimi, kryetari i Parlamentit Jahja al Raji dhe guvernatori i provincës Sanë, Numan Dveid.

Raji, Alimi dhe Dveid, sipas burimeve të njëjta, janë rëndë të plagosur, përderisa të vrarë janë katër pjesëtarë të gardës së elitës republikane.

Xhamia është goditur derisa funksionarët e lartë të Jemenit morën pjesë në lutjen e së premtes.

Partia qeveritare, Kongresi i Përgjithshëm Popullor për sulmin i akuzoi anëtarët e bashkësisë së fuqishme fisnore Hashid, lojale të sheikut Sadik al Ahmar, i cili i përkrah demonstruesit dhe kërkon dorëheqje të Salehit. Ahmar nuk është përzier në përleshjet midis qeveritarëve dhe opozitës derisa ushtria të martën nuk hyri në shtëpinë e tij në Sanë. Ai i demantoi akuzat se grupi i tij qëndron pas sulmeve dhe deklaroi se qeveritarët me gënjeshtra tentojnë që ta arsyetojnë eskalimin e përleshjeve në rrugët e Sanës.

Në Jemen në dhjetë ditët e fundit janë vrarë të paktën 155 persona. Nga fillimi i trazirave nga muaji janar në vend janë vrarë rreth 370 persona.

Sanë – Presidenti i Jemenit, Ali Abdulla Saleh është vrarë gjatë sulmit të sotëm ndaj pallatit presidencial në Sanë, njoftoi opozita jemene.

Informacioni i tillë tani për tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nga ana e autoriteteve jemene.