Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 20:24

Shkup – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), ka vlerësuar të martën se me pazarin politik që bëri BDI, shqiptarët kanë dalë humbës. Sipas tyre, është diskutabile edhe mënyra e fshehtë e negociimit, nën dyer të mbyllura, dhe lëshimi i komunikatave të përbashkëta që i imponoi VMRO-DPMNE.

”Jo vetëm që nuk e morën kryetarin e Parlamentit apo ministri të tjera të rëndësishme, por ata e humbën edhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Jemi të sigurt se edhe këtyre ministri që i ka marrë BDI, VMRO-DPMNE ua ka përgatitur ‘mbikëqyrësit’ e vet, nëpërmjet funksioneve të reja apo zv/kryeministrave. Me këtë marrëveshje shqiptarët humbën shumë. Do të ngelin për t’u dëshiruar ndarja proporcionale e buxhetit dhe vendimmarrja konsensuale”, kanë thënë në PDSH-në e Thaçit.

Sipas tyre, nëse BDI nuk e respekton vetveten, “të mos presë se do i respektojë partneri i koalicionit”.

“Përfundimi i negociatave për formimin e qeverisë mbaron pas 20 ditëve, ndërsa ne shohim që BDI veç më ka mbyllur bisedimet 5 ditë përpara afatit të paraparë me kushtetutë. Sipas kësaj që shohim konstatojmë se BDI më e kushtëzuar se kurrë deri tash do të hyjë në Qeveri”, kanë thënë në PDSH.

Ndërkohë, partia e Rufi Osmanit, RDK nuk e ka komentuar ndarjen e kulaçit qeveritar midis BDI-së e VMRO-së.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ditëve në vijim, do të jap vendimin përfundimtar se kush do të zgjidhet në postet ministrore nga radhët e kësaj partie. Kryesia e ngushtë partiake tashmë ka në shqyrtim disa kandidatura për ministra të propozuara nga degët dhe forumet e tjera partiake, mirëpo zyrtarë të lartë partiakë theksojnë se vendimi përfundimtar do të merret nga kryesia, por ekskluzivisht edhe nga Ali Ahmeti.

Sipas burimeve partiake, janë disa kandidatë që po analizohen për postet ministrore dhe se disa prej tyre tashmë kanë marrë pëlqimin dhe miratimin edhe të kryesisë, por edhe të Ahmetit. Deri tani bëhet e ditur se kandidatët që kanë kaluar filtrin partiak dhe janë nominuar si të sigurt, janë Abdilaqim Ademi, Ermira Mehmeti dhe Fatmir Besimi. (LajmeShqip.com)