Lajme Shqip Sunday, 19 June 2011 11:19

Paris – Informacionet se SHBA-ja po zhvillon negociata të fshehta me talebanët nuk janë risi, deklaroi mbrëmë ministri francez i Punëve të Jashtme, Alen Zhype, pas takimit me kolegun e tij gjerman, Guido Vestervele në Bordo.

Zhype theksoi se prej “para gjysmë muaji” sekretares amerikane të shtetit, Hilari Klinton i ka thënë se Franca e përkrah procesin e negociatave me talebanët dhe se dëshiron të jetë pjesë e tyre.

Shefi i diplomacisë franceze shtoi se kushtet për ato negociata ishin që më parë të konfirmuara dhe se ato përfshijnë heqje dorë të talebanëve nga terrorizmi dhe dhuna si dhe njohje të autoriteteve afgane nga ana e tyre.

Deklarata e Zhypes paraqet reagim të pohimit të djeshëm të presidentit afgan, Hamid Karzai, se SHBA-ja ka filluar negociata me talebanët, me çka u bë përfaqësuesi i parë zyrtar i lartë që i konfirmoi informacionet për ekzistimin e dialogut të tillë.

Vestervele nga ana e tij në pres-konferencën e përbashkët me Zhypen deklaroi se bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që ta ndryshojë strategjinë e saj ndaj Afganistanit dhe të gjejë zgjidhje politike për konfliktin në këtë vend.