Lajme Shqip Monday, 11 March 2013 18:47

Beograd – (E plotësuar) Autoriteteve shtetërore të Serbisë, në takimin e sotëm me kryediplomaten evropiane, Catherine Ashton, do t’iu ofrohen “institucione të caktuara qeveritare në veri të Kosovës dhe një lloj statusi special për këtë pjesë”, shkruajnë mediat serbe, siç transmeton REL.

Sipas tyre, pranimi i kësaj oferte, “do t’i hapte rrugën Serbisë për marrjen e datës së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“Nëse oferta e Brukselit është e pranueshme për Beogradin, Ashton, më 16 prill do t’i rekomandonte Këshillit të Ministrave që t’i ndajë Serbisë datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në bllok”, shkruan Tanjug, duke u thirrur në burimet e veta.

Prishtina është shprehur fuqishëm kundër statusit të veçantë për veriun e Kosovës, duke thënë se për gjithë territorin e vendit do të vlejnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës.

Nikoliq: Po na përgatisin një letër të papranueshme

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq ka thënë se kreut shtetëror të Serbisë gjatë takimit të tyre të sotëm në Bruksel do t’u ofrohet ‘njëfarë letre’ e cilat tani për tani është e papranueshme për Serbisë.

“Parashoh që sot në Bruksel do të na ofrohet njëfarë letre, konturat e së cilës i kam parë. Nëse nuk do të ketë ndryshime në atë letër, atëherë ajo është e papranueshme për Serbinë”, u ka thënë gazetarëve në Beograd, presidenti i Serbisë.

Sipas tij, do të binte se BE nuk e do Serbinë nëse ‘na ofrojnë letër ku janë përcaktuar ligjet të cilat ndërkohë janë marrë në Prishtinë, pas asnjë shqyrtim në atë se çfarë janë të drejtat e Serbisë, nëse nga ajo letër bëhet e qartë që ata heshturazi pranojnë Kosovën si shtet’.

I pyetur se çfarë është ajo letër, Nikoliq ka thënë se aty janë paraparë të drejtat e bashkësisë serbe në kuadër të administratës së Prishtinës dhe se ato janë të drejta të cilat parashikohen me ligjet për vetë-administrim lokal dhe akte të tjera.

I pyetur se çfarë nëse ajo janë kushte për përfitim të datës së nisjes së negociatave për anëtarësim, Nikoliq ka thënë se Serbia nuk mund ta ndryshojë vetën për kurrfarë joshjesh dhe as për kurrfarë karriere politike.

Sipas tij, Beogradi gjatë viteve të fundit ka hapur mjaftë rrugë e vetëdijshme me atë që mund të ndodh që dikush të na parashtrojë ultimatume.

“Serbia kurë nuk u është nënshtruar ultimatumeve”, ka thënë Nikoliq duke shtuar se ajo letër nuk mund të pranohet edhe për atë që Kuvendi i Serbisë ka votuar rezolutën e saj nëpërmjet se cilës ka përcaktuar sjelljen e Serbisë nuk raport me dialogun që po zhvillohet në Bruksel.

Daçiq: Do të insistojmë për Asociacion ekzekutiv

Një një intervistë për mediat në Beograd, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se vendi i tij nuk mund të pranojë asgjë që nuk siguron funksionimin dhe ekzistencën e serbëve dhe të bashkësisë serbe në Kosovë.

“Prishtina hedh poshtë propozimet tona për bashkësinë e komunave serbe, por as ne nuk do të pranojmë asgjë nën këtë. Nuk pajtohemi që bashkësia serbe të fitojë të drejtën e organizimit të shfaqjeve folklorike dhe të botojë buletine. Do të insistojmë në autorizimet ekzekutive të saj”, ka thënë Daçiq.

Beogradi kërkon presionin e BE’së mbi Prishtinën

Këshilltari i presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të bëjë presion mbi Prishtinën, nëse do anëtarësimin e Serbisë brenda.

“Presidenti Nikolliq e di se cila është linja që nuk mund ta kalojë. BE duhet të bëjë pak presion edhe mbi Prishtinën. Nuk bën që vetëm njëra palë të lëshojë pe në negociata – atëherë ato nuk janë negociata”, ka thënë Oliver Antiq.

Sot në Bruksel po qëndrojnë autoritetet e larta shtetërore të Serbisë, të cilat do të takojnë shefen për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila njëherësh është ndërmjetësuese e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Konsultimet në Bruksel

Kreu shtetëror i Serbisë do të udhëtojë sot për në Bruksel, ku do të takohet me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, duke përfshirë këtu edhe Përfaqësuesen e Lartë, Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet Kosovë – Serbi.

Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, kryeministri Ivica Daçiq dhe zëvendës-kryeministri i parë Aleksandar Vuçiq do të bisedojnë me baroneshën Ashton lidhur me ngecjet në bisedimet që kanë të bëjnë me formimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar formimin e kësaj bashkësie, që në Kosovë njihet si Asociacion, por ka refuzuar mundësinë që ky organizim të ketë fuqi ekzekutive, ashtu siç synon Beogradi.

Siç transmeton REL, para nisjes, kryeministri serb Daçiq ka deklaruar se Serbia nuk do të pranojë asgjë më pak nga ajo që në Kosovë të formohet bashkësia e komunave serbe, e cila do të kishte pushtetin ekzekutiv.

Zëvendës-kryeministri i parë serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se kreu i shtetit serb po udhëton në Bruksel për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Lidhur me këtë çështje dhe me procesin negociator në përgjithësi, baronesha Ashton pritet ta vizitojë Prishtinën më 14 mars.

Takimet e Ashton janë cilësuar si konsultime në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Raundi i ardhshëm i këtij dialogu, në nivel kryeministrash, mbahet në Bruksel më 20 mars.(LajmeShqip.com)