Lajme Shqip Tuesday, 29 January 2013 17:05

Nju Jork – Qindra shqiptarë protestuan para selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork kundër represionit dhe diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Protestuesit kërkuan që shqiptarëve të Luginës ti garantohet të drejtat e njëjta me ato të pakicës serbe në veriun e Kosovës dhe se autoritetet serbe të kthejnë lapidarin e UÇPMB-së në sheshin e Preshevës, aty ku më 20 janar u hoq dhunshëm nga xhandarmeria serbe.

Nismëtarë të protestës ishin një grup intelektualësh shqiptarë të Luginës së Preshevës, të mbështetur nga shoqatat e komunitetit shqiptar zonën e ashtuquajtur e “Tri-Shteteve”.

Protesta është zhvilluar në periudhën kohore kur para sheshit të OKB-së ditën e hënë kalojnë edhe ambasadorët e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, mes tyre dhe ish Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, që mban detyrën e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Organizatorët me këtë rast lëshuan një Memorandum special lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe represionin serb në këtë trevë, i cili sipas organizatorit iu drejtua Kombeve të Bashkuara dhe Administratës amerikane, Senatit dhe Kongresit në Uashington, organizatave ndërkombëtare prestigjoze për Liritë e të Drejtat e Njeriut, në Nju Jork.

Në Memorandum ndër të tjera thuhej se shqiptaro-amerikanët janë thellësisht të shqetësuar për keqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës.

Memorandumi i referohet heqjes nga qendra e Preshevës të një përmendoreje të ngritur në përkujtim të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Më tej në të, thuhet se qeveria e Serbisë përdori forcën duke e hequr përmendoren, në vend që të ndërtonte ura me komunitetin shqiptar të Luginës.

Në protestë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, konsulli Fatmir Zajmi dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Nju Jork, Dritan Mishto. Në protestë foli edhe drejtori ekzekutiv i NAAC, Avni Mustafaj, i cili theksoi se pa realizmin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Serbia e ka të “mbyllur” rrugën e saj për në BE.

Shaban Mehmeti, një nga organizatorët e protestës theksoi se tensionet e fundit në Preshevë rreth lapidarit janë vetëm një segment i kompleksit të problemeve të rënda jetësore që janë pasojë e statusit të pazgjidhur politik të shqiptarëve në Luginën të Preshevës. Sipas tij, në Luginën e Preshevës nuk u realizua Marrëveshja e Konçulit 2001, nuk u përmirësua gjendja social – ekonomike e shqiptarëve me një papunësi prej 70 për qind si dhe nuk ka pasur integrim të shqiptarëve në administratën shtetërore.

Mehmeti theksoi se nga represioni dhe diskriminimi i ashpër i shqiptarëve nga ky rajon janë dëbuar dhe larguar më shumë se 10 mijë shqiptarë, që nuk janë kthyer në vatrat e tyre. Në këtë protestë folën edhe aktivistë dhe personalitete tjera shqiptaro – amerikane nga “Vatra” dhe shoqata tjera, ndërsa një mirënjohje nga organizatorët u shpreh për veprimtarin shqiptarë Ylber Pilku nga Dibra, i cili i dha mbështetje teknike protestës. (B.Sina/INA/LajmeShqip.com)