Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 10:18

Nju-Jork – Këshilli i sigurisë së KB-së do të duhej, sot, të votojë për propozimin e Ban Ki-munit që përsëri të emërohet për sekretar të përgjithshëm të KB-së, pasi dje u anulua votimi, sepse Kuba pengoi një grup të shteteve të Amerikës latine dhe Karaibeve për ta miratuar këtë propozim.

“Kuba shkakton vështirësi me Grupin e shteteve latinoamerikane dhe të Karaibeve, por kjo është vetëm procedurale”, deklaroi një diplomat perëndimor. Ai thotë se Ban përsëri do të zgjidhet edhe pse është e paqartë nëse ai grup i shteteve do ta përkrahë si bllok.

Ban është sekretar i përgjithshëm i KB-së nga muaji janar i vitit 2007, ndërsa mandati i skadon më 31 dhjetor të këtij viti. Tani për tani ai është kandidati i vetëm për këtë funksion. Pritet që ditën e martë, Asambleja e Përgjithshme, zyrtarisht ta miratojë mandatin e tij të dytë. Pesë anëtarët e përhershëm të KS-së të KB-së e përkrahën rizgjedhjen e Ban Ki-munit.