Lajme Shqip Monday, 29 April 2013 19:10

Beograd – Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se në mes të vendit të tij dhe Izraelit mund të tërhiqen “shumë paralele historike”, pasi të dy popujt “kanë përjetuar rënien e territoreve të tyre historike nën pushtimin e huaj, si dhe kanë qenë në shënjestër të dëbimit dhe persekutimit”.

“Mund të mësojmë shumë nga Izraeli – jo vetëm atë se si duhet dashur vendi, por edhe si duhet ndërtuar vendi nga rëra, si të zhvillohet teknologjia e lartë dhe si të ushqehet populli”, ka thënë Nikolliq për gazetën The Jerusalim Post, transmetojnë mediat serbe.

Ai po ashtu ka thënë se Serbia nuk do të pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës, me gjithë
“presionin e tmerrshëm” me të cilin përballet.

Nikolliq ka udhëtuar sot për vizitë treditore në Izrael dhe territoret palestineze. (LajmeShqip.com)