Lajme Shqip Friday, 05 July 2013 13:23

Beograd- Nëse Prishtina nuk e miraton Ligjin për amnisti, nuk është i mundshëm zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, thotë ministri serb i Drejtësisë Nikola Selakoviq.

Ai në RTS ka thënë se pa amnisti nuk mund të ketë integrim të punëtorëve të gjyqësisë e të nëpunësve të policisë në institucionet e Kosovës.

“Problemi që u krijua pasi që Kuvendi i Kosovës nuk miratoi Ligjin për amnisti është shumë më serioz se sa që duket në opinion dhe pa të nuk është i mundshëm zbatimi i Marrëveshjes”, ka thënë Selakoviq dhe ka shtuar se “Ligji për amnisti ka qenë i caktuar si parakusht për implementim të Marrëveshjes”. 

Sipas fjalëve të tij, me këtë akt Prishtina hyn në ndalim të zbatimit të Marrëveshjes dhe për këtë Serbia nuk është fajtore.

Ai ka sqaruar se Ligji për amnisti garanton për serbët sigurinë juridike dhe me të i hapen dyert pajtimit të serbëve e shqiptarëve.