Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 10:24

Qindra të vdekur brenda një jave: bilanci i viktimave në Siri është rënduar frikshëm, pikërisht në një kohë, kur vetëm pak orë kanë mbetur nga afati i dhënë regjimit të Bashar al Assadit për të ndaluar luftimet.

Përshkallëzimi i dhunës në vend është i tmerrshëm, thotë OKB. Ndërsa qeveria siriane lë të kuptohet se do t’i tërheqë trupat vetëm nëse do të ketë garanci me shkrim nga ana e atyre që i quan “grupe të armatosura terroriste”, se do t`i ulin armët, do të reshtin sulmet, ndërsa nga shtetet e tjera pretendohet zotimi se nuk do t’i mbështesin rebelët financiarisht. Por ndonëse pajtohen me planin e paqes së OKB-së, liderët kryengritës kanë refuzuar të negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë siriane përsa kohë trupat e saj vazhdojnë sulmet mbi popullsinë. Në të dy kahet, ka doza pesimizmi përsa i takon vendosjes së armëpushimit.

“Nëse forcat qeveritare do të tërhiqen nga disa zona të Sirisë, grupet e armatosura do të hyjnë atje menjëherë, duke u shndërruar kështu në një kërcënim për sigurinë publike. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për sigurinë e njerëzve në këto rajone”, tha George Jabari, anëtar i Parlamentit sirian.

“Nuk besoj se do të zgjidhet gjë. Qeveria siriane gjithmonë bën premtime, por kurrë nuk i mban”, tha Luay Hossain, lider opozitar.

Rusia ndërkohë nuk është prononcuar ende në lidhje me kërkesat e reja të Damaskut, që hedhin hije dyshimi mbi pushimzjarrin e së martës. Moska e mbështeti deklaratën e Këshillit të Sigurimit të enjten, ku Damaskut i kërkohej të respektonte angazhimin e marrë për tërheqjen e trupave nga qytetet dhe fshatrat. Nëse rusët dhe të tjerët s`do të arrijnë ta shpëtojnë planin e Ananit përmes bindjes së sirianëve për të zbutur pretendimet e tyre, thotë BBC, atëherë organi vendimmarrës i OKB-së do të mendojë për masa të mëtejshme.