Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 15:52

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq tha sot në Moskë se Serbia e ka provuar qëndrimin e saj miqësor ndaj Rusisë, dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj saj por do të vazhdojë të jetë mike me të, në “baza racionale”. Delegacioni i qeverive të Serbisë dhe Rusisë nënshkruan sot disa marrëveshje.

“Ne mendojmë se kemi treguar marrëdhënien e sinqertë dhe miqësore me Federatën Ruse në atë se ne kemi mbetur një nga vendet evropiane, të cilat, pavarësisht kërkesave të shumta në mbarë botën, nuk kermi vendosur ndonjë sanksion. Serbia do të vazhdojë këtë politikë në të ardhmen”, tha Vuçiq në një konferencë të përbashkët shtypi pas bisedimeve me homologun e tij rus Dimitri Medvedev, transmeton lajmi.net.

Vuçiq tha se vizita në Moskë është bërë për t’i dhënë një shtysë të re bashkëpunimit mes dy vendeve dhe falenderoi Rusinë për mbështetjen e saj në kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, si dhe për ndihmën në mbrojtjen e interesave serbe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kryeministri serb gjithashtu i bëri thirrje Medvedev-it që gjatë vitit 2016 të vijë në një vizitë zyrtare në Serbi.

Kryeministrat e Serbisë dhe Federatës Ruse kanë dërguar një mesazh sot se të dy vendet do të punojnë në gjetjen e rrugëve të reja për furnizimet me gaz dhe kryeministri serb theksoi se borxhet ndaj kompanisë ruse të naftës ‘Gazprom’ do të paguhet përpara afatit.

“Serbia do të paguajë të gjitha borxhet ndaj ‘Gazprom’ brenda më pak se sa ishte planifikuar, e cila është një tregues i përparimit tonë ekonomik, sepse ne duam të vazhdojmë marrëdhëniet tona në një bazë të përgjegjshme,” tha Vuçiç.