|
|
e Shtunë, 21 Korrik 2012 16:47 Shkup – Ish-kryeministri dhe lideri aktual i VMRO-Popullore, Lubço Georgievski do të përballet me ndjekje penale për shkak të angazhimeve dhe planeve të tij për ndarjen e Maqedonisë.
Kryetari i një lëvizje ultranacionaliste maqedonase Kongresi Botëror Maqedonas (KBM), Todor Petrov ka dorëzuar kallëzimin penal kundër Georgievskit për planet e tij për ndarjen e Maqedonisë dhe bashkëngjitjen e një pjese të territorit të vendit drejt Shqipërisë.
Petrov ka theksuar se Georgievski ka bërë vepër penale për rrezikimin e tërësisë territoriale të Maqedonisë.
“Georgievski pranoi vetë se në vitin 2001 si kryeministër i Maqedonisë kishte ndërmarrë veprimet për ndarjen dhe copëtimin e territorit të Maqedonisë dhe bashkëngjitjen e një pjese me Shqipërinë”, ka theksuar Petrov, duke arsyetuar akuzën dhe duke zbardhur detajet e takimeve midis Georgievskit dhe ish-kryeministrit serb Zoran Xhinxhiq për ndarjen e vendit. (LajmeShqip.com)