Lajme Shqip e Mërkurë, 04 Prill 2012 09:20

New York – Askush nga kandidatët presidencialë republikanë të mbetur në garë duket se nuk mund ta arrijë më Mitt Romney, ish guvernatorin e Masacusets që kërkon të përballet me Presidentin demokrat Barak Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Mitt Romney ka ecur shumë hapa përpara rivalëve të tij brenda partisë, Rick Santorm, Newt Gingrich e Ron Paul dhe tashmë është konsoliduar bindja se ai do të jetë i nominuari republikan.

Në zgjedhjet paraprake që republikanët zhvilluan të martën në tre shtete Maryland, Washington DC dhe Wisconsin, Romney shënoi një fitore të trefishtë dhe 98 delegatë gjithsej.

Ndërsa në 31 shtetet ku republikanët kanë përmbyllur zgjedhjet paraprake, Romney ka fituar 630 delegatë nga 1.144 që i nevojiten për nominimin në konventën republikane, në gusht. Më pranë tij është Santorum me 262 delegatë të fituar, Gingrich 135, ndërsa Paul ka grumbulluar një numër të papërfillshëm prej 51 delegatësh.

Pavarësisht këtij hendeku në avantazh rivalët e Mitt Romney nuk kanë dhënë asnjë shenjë për t’u tërhequr nga gara. Kundërshtarët e Romney, sidomos Santorum, shpreson të krijojë disa pengesa duke fituar në disa shtete, në mënyrë që të dobësojë nominimin e tij në konventën e gushtit.

“Romney është shumë i moderuar për të arritur suksesin që të jetë një kandidat republikan për president”, tha Santorum pas humbjes që pësoi të martën, por me besimin në fitore në Pensilvani ku ka qenë senator apo në Teksas ku dominojnë konservatorët.

Por gjithsesi, Romney ka të drejtë të shikojë përpara pasi ai ka jo vetëm një epërsi gati të pakapërcyeshme nga rivalët, por është mbështetur dhe nga figura historike të republikanëve, së fundi dhe nga presidenti George H.Bush (Presidenti Bush i madh) që nënkupton se partia po unifikohet rreth tij.

Romney i dha fjalimit të fitores në tre shtete tonet e një fjalimi të një gare të përgjithshme, i fokusuar tërësisht tek puna e dobët e Presidentit Obama që për të përkthehet rritje e çmimit të gazit, deficitit buxhetor, shpenzimeve buxhetore, papunësisë, etj.

“Unë nuk dua të transformoj Amerikën. Unë dua të kthej vlerat e mundësive dhe të lirisë ekonomike dhe të kufizoj rolin e qeverisë”, tha Romney i cili u bëri thirrje votuesve në 19 shtetet, ku pritet të zhvillohen zgjedhjet paraprake, që t’i bashkohen alternativës së tij.

Edhe presidenti Obama duket se e shikon multimilionerin Mitt Romney si rivalin e tij në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Obama shfrytëzoi një takim me gazetarët e Associated Press të martën për të përcjellë një mesazh për amerikanët dhe për të përmendur për herë të parë emrin e Romney, i cili ka mbështetur një projekt buxhetor të ligjvënësve republikanë miratuar javën e kaluar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga kjo forcë politike.

Projekt- buxheti i republikanëve për vitin 2013, një plan 3.5 trilion dollarë, parashikon shkurtimin e deficitit gjatë 10 viteve të ardhshëm me disa triliona dollarë më shumë se propozimi i presidentit Obama, duke eliminuar programe që kryesisht ndihmojnë amerikanët me të ardhura të pakta dhe shkurtuar taksat për amerikanët e pasur.

“Guvernatori Romney vlerësoi versionin e parakohshëm të buxhetit republikan si “marvelous” (i mrekullueshëm) një fjalë që nuk mund ta dëgjoni të përdoret kur bëhet fjalë për buxhetin”, ironizoi Obama, i cili i quajti propozimet e republikanëve receta për rënie ekonomike, që do të kenë pasoja shkatërruese për klasën e mesme.

Obama i akuzoi republikanët për nxitjen e një plani radikal, “një plan që është i mbuluar hollë si Darvinizëm social”, siç u shpreh ai.

I gjithë ky zhvillim në një ditë mes palëve tregon se gara presidenciale në SHBA është nxehur dhe se ekonomia është fokusi kryesor.