Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 12:50

Uashington – Çështja për kontestin rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë mund të zgjidhet, ka vlerësuar ish kandidati për president i SHBA-së, senatori republikan Xhon Mekejn.

“Greqia për momentin përballet me sfida të mëdha dhe konsideroj se në një situatë të tillë, marrëdhëniet e mira me Maqedoninë me siguri do të jenë në interesin e saj”, ka thënë Mekejn pas marrjes së Çmimit ndërkombëtar të lirisë nga Diaspora e bashkuar maqedonase. Siç bën të ditur Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase, çmimi i është ndarë edhe senatorit demokrat, Frenk Lutenberg nga Nju Xhersi dhe senatorit të pavarur Xhozef Liberman nga Konektikat, ndërsa pas vdekjes edhe ish- sekretarit shtetëror, Lorens Igelberger. Çmimi, sipas Mekejn, është nxitje për një punë të mëtejshme në marrëdhëniet bilaterale.

“Ka një domethënie të madhe marrja e çmimit ndërkombëtar për liri, pasi vjen nga njerëz të cilët edhe pse e kanë braktisur vendin e tyre për të ardhur në SHBA dhe në vende të tjera në mbarë botën, edhe më tej janë të përcaktuar për pavarësinë dhe lirinë e Maqedonisë, vendi i cili, siç e dimë, është ballafaquar me sfida. Mbështetja e tyre për mua është motivim të vazhdoj ta mbështes Maqedoninë”, ka thënë Mekejn. Ai i ka përshkruar marrëdhëniet e Maqedonisë dhe Amerikës si të mira, ndërsa kanë qenë të shkëlqyera kur, siç tha, “ish presidenti amerikan Xhorxh Bush paraqiti interes personal për vendin”.

“Jemi të falënderuar për shkak të faktit që armata e Maqedonisë na ndihmon në Afganistan dhe i jemi mirënjohës popullit të Maqedonisë për sakrificën e ushtarëve të rinj. Konsideroj se marrëdhëniet mes dy vendeve do të mbeten të mira, po edhe do të përmirësohen”, ka thënë deputeti i Arizonës.