Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 16:20

Athinë-SHBA kanë një plan mbi zgjidhjen e kontestit të emrit dhe ruajtjen e stabilitetit të sigurisë në Maqedoni dhe atij ekonomik në Greqi.

Kështu shkruan revista greke “Epikera”, e cila bën të ditur se SHBA janë të kujdesshme për të mos destabilizuar në mënyrë plotësuese Greqinë, për shkak të krizës ekonomike, ndërsa në anën tjetër për të mos destabilizuar edhe Maqedoninë për shkak të konflikteve etnike.

Revista shkruan se SHBA po i bëjnë presione Athinës dhe Shkupit për zgjidhje të shpejt të kontestit të emrit, por nga ana tjetër bëhet e ditur se Uashingtoni po bën përpjekje që të ketë kontroll në çdo hap të procesit negociator për emrin.

“Çështja e pranimit të Maqedonisë në NATO sigurisht që nuk do të jetë e hapur në Samitin e Çikagos në muajin maj, megjithatë kjo nuk nënkupton se Greqia duhet të lirohet. Duke u thirrur në burime diplomatike, MPJ e Greqisë duhet të ndërmarrë nismë me qëllim që të sigurohet se në ]Çikago nuk do të ketë ndonjë propozim të qartë për të pranuar Maqedoninë”, shkruan “Epikera”, duke shtuar se Greqia duhet të ndërmarrë një ofensivë diplomatike.

Sipas informatës së revistës, në takimin e parë Gruevski – Papadhimos, kryeministri maqedonas ka propozuar emrat “Maqedonia Veriore” apo “Maqedonia e Epërme” në gjuhën angleze si formulë e dyfishtë, propozim që menjëherë është hedhur poshtë nga homologu i tij grek. “Epikera” shkruan se SHBA në takimin e 18 majit me vendet pjesëmarrëse në misionet e ISAF në Afganistan mund të befasojë me ndonjë vendim pozitiv apo sinjal të qartë për pranimin e Maqedonisë në kuadër të NATO-s. (INA)