Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 17:55

Shkup – Udhëheqjet e ngushta të partive fituese janë si hermetikisht të mbyllura për dhënien e çfarë do lloj informacioni në lidhje me bisedimet për formimin e qeverisë së re. Ajo që mund të konfirmohet me saktësi deri më tani është vetëm formimi i ekipeve negociuse nga dyja partitë. Bisedimet në mes dy partnerëve në koalicion të deritanishëm në pushtet do të udhëhiqen në nivelin e grupeve punuese. Kur ato do bien dakord për pikat kyçe dhe gjejnë gjuhë të përbashkët në ndarjen e kulaçit qeveritar, kërkesat të cilat do t’ia plotësojnë BDI-së dhe për vendet e ministrive, bisedimet do t’i mbaronin edhe dy liderët Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski. Jo zyrtarisht informatat të cilat qarkullojnë në publik është se kanë filluar kontaktet e para të dy partive pas zgjedhjeve.

Në mungesë të informatave zyrtare nga dyja partitë dukshëm janë shtuar në opinion spekulimet për atë se çka mund të kërkojë BDI si pazar për qeverinë e re por edhe rreth asaj se sa është e gatshme të ofroj mandatari i qeverisë së ardhshme. Njëra prej punëve që më së shumti përmendet në opinion, kryesisht nga mediat në gjuhën maqedonase është nëse si kërkesë do shtrohet edhe zgjidhja e emrit si çështje esenciale për perspektivën e mëtejshme të shtetit dhe për fatin e integrimeve euro-atlantike. Burime partiake nga BDI-ja kanë brifuar se Ahmeti këtë radhë do të kërkojë nga Gruevski edhe garanci të shkruar që çështja me Greqinë të zgjidhet më së voni deri në fund të vitit, për dallim nga angazhimi deklarativ i deritanishëm pa afate konkrete dhe propozime si të arrihet deri te zgjidhja. Analisti Stevo Pendarovski, mendon se vullneti i Gruevskit që ta zgjidh çështjen e emrit shihet edhe nga vendosmëria e tij që me çdo kusht ta vendosë përmendoren e Lekës së Madh në sheshin e Shkupit. “Në çdo rast është mirë që BDI-ja më me energji kërkon nga Gruevski që ta zgjedhë çështjen e emrit me Greqinë sepse ato deri më tani kryesisht janë marrë me punë të dorës së dytë dhe zgjidhje kadrovike në vend se me pyetje konkrete siç është emri. Megjithatë me vendosje të Lekës së madh Gruevski e ngushtoi hapësirën e manovrës për të gjetur zgjidhje për çështjen”, thekson Pendarovski.

Mu nga kjo shtohen edhe dilemat e njohësve të rrethanave se nëse Gruevski në njëqind ditët e para, madje edhe deri në fund të vitit do të dëshiron ta zgjedhë çështjen me Greqinë. Me siguri ai do ta pret vendimin e gjykatës së Hagës para se të marrë hap të tillë vendimtar me efekt si në plan të brendshëm ashtu edhe në të jashtëm.

Andaj në këtë vazhdë shpjegohet edhe vendosja e përmendores së madhe të Lekës së Madh në qendrën e Shkupit si akt i cili do t’i rrëzojë shpresat për zgjedhjen e çështjes me Greqinë, e me atë do të bie në ujë edhe ultimatumi të cilin BDI-ja, kinse, ia ka paraqitur VMRO-DPMNE-së si kusht për vazhdimin e bashkëpunimit të koalicionit. Ashtu sipas atyre versioneve kur u bë e qartë se Ali Ahmeti mund t’i bëjë shtypje Nikolla Gruevskit, që pyetja e parë në agjendën e qeverisë të jetë zgjedhja e çështjes së emrit, ai shfrytëzoi xhokerin më të madh që kishte në mangë, përmendoren. Me përmendoren do ta provokojë Greqinë në reaksion, që më pas do të mund ta akuzojë që e bllokon Maqedoninë në tentim për anëtarësimin e saj në NATO dhe BE. Analistët politik theksojnë se Gruevski është i butë në fjalë, por i rëndë në punë dhe se këtë radhë është e mundur t’i premtojë Ahmetit se çështja e emrit do të zgjidhet shumë shpejtë, që më pas të harrojë në premtimet dhe të vazhdojë me të vetën. Dallimi është në atë se Gruevski tani nuk ka komoditet që të mund të qeverisë edhe pa mbështetjen e BDI-së, e cila sipas gjitha matjeve është çelësi politik për formimin dhe funksionimin e qeverisë së ardhshme.