Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 16:23

Çështja e imigracionit ka prodhuar shqetësime të shumta në Evropë. Përveç problemeve të tjera që imigrimi po u sjell vendeve Evropiane në aspektin ekonomik, social dhe të sigurisë, përkatësia religjioze e imigrantëve po ashtu është duke u parë si problem në vete.

Sipas udhëheqësit të Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani, Aiman Mazyek, pjesëmarrja në ritualet fetare nëpër xhami në Gjermani është dyfishuar në muajin e fundit, shkruan instituti Gatestone, transmeton lajmi.net.

Shumica e këtyre pjesëmarrësve nëpër xhami, respektivisht rreth 40% e tyre janë nga vendet ballkanike, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

Por, të përkatësisë islame janë edhe imigrantët dhe refugjatë tjerë të vendeve të lindjes.

Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Thomas De Maizere, rreth gjysma e atyre që kërkojnë strehim në Gjermani janë imigrantë ekonomik, jo refugjatë që vijnë nga zonat e luftës.

Ai ka bërë të ditur se rreth 83,000 imigrantë kanë arritur në Gjermani vetëm gjatë muajit Korrik, ndërkaq për muajin Gusht pritet që numri të rritet edhe më shumë.

Popullata islame momentalisht në Gjermani arrin shifrën rreth 6 milion, prej 83 milionëve sa ka në total Gjermania. Ky numër paraqet shifrën më të lartë të myslimanëve që ka pasur Gjermania ndonjëherë.

Ndërkaq, përqindja e tyre mund të shkoj duke u rritur, në radhe të parë për shkak të ardhjeve të reja nga jashtë, por po ashtu edhe për shkak të shkallës më të lartë të natalitetit përgjatë popullatës myslimane, transmeton lajmi.net.

Se popullimi i Evropës me mysliman nuk po shihet me sy të mirë nga Evropianët, tregon edhe kjo deklaratë e presidentit të Hungarisë, Viktor Orbán, në lidhje me këtë çështje.

“Sot, pyetja nuk mund të shtrohet se në çfarë Evrope po duam të jetojmë, por duhet të pyesim nëse kjo që ne sot nënkuptojmë si Evropë do të vazhdoj të ekzistoj edhe më tutje”, ka thënë Orban.