Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 11:43

Beograd – Do të të therim si një shqiptar. I tillë je ti!”, “P…, e shite Kosovën. Do të vritesh si Zorani (Xhinxhiç)”. Këto janë disa prej mesazheve që kanë marrë në celularët personalë Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç dhe zv.kryeministri Vuçiç, pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë. Kanë qenë anëtarët e Partisë Radikale serbe, të cilët ditën e djeshme në sheshin “Knez Mihailov” kanë shpërndarë numrat privatë të celularëve të kryeministrit Daçiç dhe zëvendësit të tij, Aleksandër Vuçiç. Ata u kanë kërkuar qytetarëve serbë që të shprehin rebelimin e tyre për marrëveshjen nëpërmjet mesazheve në celular. Mediat serbe raportojnë se anëtarët e SRS-së, partisë në të cilën më parë ishte zëdhënës Vuçiç, ndërsa Presidenti Tomisllav Nikoliç nënkryetar, kanë dërguar mesazhe kërcënuese dhe as nuk kanë tentuar të fshihen, duke u prezantuar me emër dhe mbiemër. Ndërkaq, ditën e djeshme një numër i madh qytetarësh serbë kanë shfrytëzuar maratonën e Beogradit, ku ishte pjesëmarrës edhe kryeministri Daçiç, për të bërë të tjera kërcënime. Në fillim të ngjarjes sportive, një grup brohoriste “Tradhti, tradhti”, ndërsa në fund disa prej tyre vrapuan duke mbajtur në duar një pankartë, ku shkruhej: “Nuk do ta japim Kosovën”.
DEKLARATA
Marko Gjuriç, këshilltari i Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka deklaruar dje se me marrëveshjen e Brukselit, Serbia ka penguar përgjithmonë hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, ka fituar garancinë dhe sigurinë për serbët e Kosovës dhe i ka legalizuar institucionet serbe para bashkësisë ndërkombëtare. “Me këtë marrëveshje kemi fituar garancinë e përhershme se Serbia nuk detyrohet të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, se nuk do të detyrohet të njohë pavarësinë e Kosovës, se që nga fillimi deri në fund kemi kontrollin në shumë fusha. Janë arritur gjëra shu-më më të mëdha se sa për serbët në jug”, ka thënë Gjuriç. Ai ka shtuar se me marrëveshjen ndalohet edhe prania e forcave të sigurisë në komunat e veriut të Kosovës.
RAPORTI
Zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian, Catherine Ashton dhe Stefan Fule, sot në Luksemburg do t’u dorëzojnë ministrave të Jashtëm të BE-së raportin për marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për përparimin në reformat evropiane të Kosovës dhe të Serbisë. Shefat e diplomacisë evropiane do ta analizojnë raportin dhe mund të japin ndonjë vlerësim në konkluzionet e seancës. Ata theksuan se vendimet për Serbinë, nëse do t’i përcaktohet data e negociatave të anëtarësimit në BE dhe për Kosovën, mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, do të merren në qershor nga Këshilli i Evropës.
KUVENDI
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi dje se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ratifikohet në Parlament. “Në bazë të kërkesës nuk del që do të ketë ratifikim të marrëveshjes. Mund të jetë si pëlqim. Varet nëse këtë e kërkon kryeministri dhe nëse do të ketë mbështetjen e grupeve parlamentare. Për t’u ratifikuar, marrëveshja duhet të ketë formën e ligjit. Fjala është për raportim dhe pëlqim”, tha Krasniqi. Mbrëmë kryeministri Hashim Thaçi raportoi në Kuvend lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi. (B.W/LajmeShqip.com)