Lajme Shqip Thursday, 25 April 2013 12:34

Uashington – Një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve së Kongresit amerikan diskutoi dje për Kosovën dhe Serbinë, për herë të parë që kur u arrit marrëveshja e javës së kaluar mes dy vendeve. Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit i ftuar në seancë, siç transmeton VOA, shprehu optimizëm për kompromisin, por anëtarët e Kongresit dhe analistët e ftuar ishin të ndarë në mendimet e tyre për efektivitetin e kësaj marrëveshjeje dhe se çfarë do të sjellë ajo për dy vendet.

Seanca e djeshme u karakterizua nga vlerësime për marrëveshjen e arritur, por njëkohësisht nga shqetësimet për zbatimin e saj dhe mosbesimin se ajo nuk zgjidh problemet më të thella për të ardhmen e vendit.

Drejtori për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore tha se marrëveshja përfshin zgjidhje të qëndrueshme për veriun e Kosovës, “brenda kuadrit ligjor dhe institucional të Kosovës me vetëqeverisje të gjerë lokale, në bazë të ligjeve të Kosovës”. Ai tha se SHBA nxit Kosovën dhe Serbinë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet.

“Pavarësisht nga vështirësitë, kjo marrëveshje është mënyra më e mirë përpara. Pajtimi është synimi i Serbisë dhe Kosovës dhe jo ndarja, apo këmbimi i territoreve”.

Zyrtari i lartë theksoi qëndrimin amerikan se integrimi evropian është rruga më e mirë për Ballkanin. Zoti Moor tha se nuk bëhet fjalë që të ndryshohen kufijtë në bazë të ndarjeve etnike. Ky pohim ishte një reagim ndaj qëndrimit të shprehur në mënyrë të përsëritur nga kreu i nënkomisionit për Evropën dhe Eurazinë, republikanit nga Kalifornia Dana Rohrabacher, për këmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Prandaj sovraniteti i autoriteteve kosovare është një fasadë, një iluzion që në të ardhmen do të dëmtojë të dyja palët. Thelbi i sovranitetit është kontrolli i forcave të sigurisë. Marrëveshja e vendos personelin e sigurisë dhe rendit nën komandën e Kosovës, megjithatë komandanti rajonal i Veriut do të jetë një serb vendas i emëruar nga qeveria e Kosovës, i zgjedhur nga një listë e paraqitur nga kryebashkiakë serbë”.

Zoti Rohrabacher, që drejtonte seancën tha se marrëveshje nuk kënaq banorët e veriut. Duke u nisur edhe nga përgjigjet e zotit Moore, që siguria në Veri do të garantohet nga KFOR-i ai tha se në fakt ajo që është vendosur në veri është autonomi.

Kongresmeni Elliott Engel e quajti marrëveshjen historike dhe uroi kryeministrat e dy vendeve për arritjen e kompromisit. Zoti Engel tha se marrëveshja rikonfirmon edhe një herë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Bashkimi Evropian po i ofron tani Serbisë një datë për negociatat për anëtarësim. Be-ja duhet t’i ofrojë edhe Prishtinës atë që e kanë edhe vendet e tjera të Ballkanit: një rrugë të qartë dhe transparente për anëtarësim”.

Por një nga çështjet që shtroi zoti Engel ishte fakti që Kosova në çdo hap mund të hasë veton e vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur atë dhe i nxiti këto vende ta ndërmarrin tani këtë hap.

Për analistin Daniel Serwer, marrëveshja është pozitive, por ai shtoi se nuk është e mjaftueshme, duke theksuar se duhet të ketë njohje dhe këmbim ambasadorësh. Ai gjithashtu iu rikthyer temës së këmbimit të territoreve.

“Çdo diskutim për këmbim territori do të sillte destabilitet në Bosnje, Maqedoni dhe vetë Serbinë. Marrëveshja është pozitive por duhet bërë më shumë”:

Ndërsa Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për Ballkanin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane shprehu mosbesim për marrëveshjen duke e qujatur një rregullim të përkohshëm.

“Nuk është një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe efektive që do të sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon. Sipas mendimit tim, kjo do të ndodhë vetëm kur Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në institucionet ndërkonbëtare, kur t’i japë të drejta të barabarta shqiptarëve në Luginën e Preshevës – që të jenë të barabarta me të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë – të heqë dorë nga strukturat paralele në veri të Kosovës dhe të përqendrohet tek zhvillimi ekonomik dhe politik i Serbisë”.

Edhe analisti Obrad Kesic shprehu pesimizëm për efektet e marrëveshjes.

“Edhe ata (serbë) që e kanë nënshkruar marrëveshjen kanë shprehur mobesim dhe pretendojnë se e kanë nënshkruar sepse nëse nuk do ta nënshkruanin do të detyroheshin t’i nënshtroheshin realitetit më negativ”.

Ai tha se kjo tregonte se marrëveshja nuk ishte nënshkruar prej  vullnetit të lirë, por një nënshkrim i detyruar. Për vështirësitë që sjell mosbesimi që ende ekziston mes dy vendeve, shumë nga pjesëmarrësit ishin dakord. Por ajo qe ende është herët të parashikohet është nëse marrëveshja do të ndihmojë për vendosjen e këtij besimi, apo mosbesimi do të krijojë pengesa për zbatimin e marrëveshjes.(LajmeShqip.com)