Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 16:11

Budvë, Shkup – Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Antonio Milloshoski, mori pjesë në mbledhjen e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve-anëtare të Procesit për bashkëpunim të Evropës Juglindore që mbahet në Budvë të Malit të Zi.

Në këtë eveniment, Milloshoski nuk u takua me ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Greqisë, Stavros Llambrinidis, për shkak se ky i fundit nuk ka marrë pjesë në mbledhje si pasojë e krizës që e ka kapluar Greqinë me protesta.

Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Maqedonisë kanë bërë të ditur se ata ftesën për takim deri te shefi i diplomacisë greke e kishin dorëzuar ditë më parë, mirëpo nuk kishin marrë përgjigje nga pala greke.

Milloshoski nga Budva ka thënë se Maqedonia është e gatshme t’i ndihmojë konkretisht me disa masa Greqisë sa i përket krizës së saj financiare në shenjë respekti të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Mirëpo, sipas tij, thelbësore është që principi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore të respektohet edhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE). ”Nuk mund të pritet që një shtet kandidat të bëjë përpjekje për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore ndërsa vendi anëtar në BE të mos e bëjë të njëjtën”, ka thënë Milloshoski.