Lajme Shqip Sunday, 04 November 2012 12:30

SHKUP – Janë rreth 40 skulptura me emra të personaliteteve historike maqedonase dhe botërore, përfshirë edhe emra të carëve dhe knjazëve rus e bullgar, papës, e deri tek Mbreti i Jordanisë.

Përveç emrave të personaliteteve historike ndërkombëtare, në këtë ndërtesë janë të vendosur edhe skulptura gjigante me figura me veshje kombëtare, historike të burrave dhe grave ballkanase, por të përvetësuara si veshje tradicionale historike maqedonase.

Në mesin e këtyre skulpturave janë edhe ato me veshje serbe dhe bullgare, që janë të shkruara në tabelat e vendosura.

Punonjësit shqiptarë në MPJ theksojnë se të paktën duhej vendosur një figurë historike shqiptare, që ka të tilla të njohura si Nënë Tereza, apo edhe figura tjera të personaliteteve eminente historike shqiptare. “Sigurisht se duhet të ketë, por ne nuk jemi të thirrur për tu përgjigjur për këtë. Përgjigja duhet të vijë nga personalitete që kanë funksione të larta zyrtare, se përse të paktën një figurë simbolike shqiptare nuk është vendosur apo një elemente veshjeje apo tradite shqiptare, meqë dihet se edhe ne jemi pjesë e këtij vendi”, theksoi për INA një punonjës i kësaj ministrie.

Ndërtimi i ndërtesës së re të MPJ është pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Ajo është ngritur menjëherë përskaj lumit Vardar në pjesën qendrore të Shkupit, ndërsa kostoja e projektit ka arritur në 16 milion euro. (INA)

Skulpturat e vendosura:

1.    Anton Martin Slomshek  – poet, prif katolik dhe një nga rilindësit e sllavizmit në shekullin 19.
2.    Benito Juarez – Politikan, reformator, themelues i sistemit republikan dhe lideri i parë i Meksikës.
3.     Boris Safarov – revolucionar maqedonas
4.    Bronislav Geremek – disident, historian dhe diplomat i mirënjohur
5.    Karl Manerheim – Marshalli finlandez dhe oficer si pjesë e ushtrisë së kalorësisë ruse
6.    Kirili i Madh – udhëheqësi më i fuqishëm antik persian
7.    Dag Hammarskjold – diplomat suedez dhe fitues i çmimit të Nobelit për Paqe
8.    Mbreti rus Pjetri i Madh – si një reformator i madh për modernizimin e Rusisë
9.    Jaroslav I Mudri – knjaz rus i Kijevit si reformator që solli legjislacionin e parë

Si dhe figura të tjera si: Xhorxh Uashington, Jitzak Rabin, Uinston Churchil, Robert Shuman, Jean Mone, Nelson Mandela, Konrad Adenauer, Mbreti i Jordanisë  Hussein, Justiniani i Parë, etj.