Lajme Shqip Sunday, 07 April 2013 19:13

SHKUP – Dita zgjedhore po kalon në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike.
Ky është vlerësimi i parë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë rreth zhvillimit të procesit të sotëm zgjedhor. Zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski tha se deri në orën 14 nuk është regjistruar asnjë incident më serioz, as deri te MPB-ja nuk kanë arritur denoncime për çfarëdo shkelje më të madhe të procesit zgjedhor. “Në këtë moment votimi po zhvillohet pa probleme në të gjitha, mbi 1.600 vendvotime. Vetëm në disa vendvotime, për shkak të problemeve më të vogla, erdhi deri te ndërprerja e votimit, i cili më vonë vazhdoi”, tha Kotevski.

Më serioz është rasti në Strumicë, ku në një shkollë votimi është ndërprerë në ora 09:18. Sipas denoncimit, një person 29-vjeçar nga Strumica e ka thyer kapakun e kutisë së votimit. Personi menjëherë është dërguar në Stacionin policor në Strumicë për procedurë të mëtejme, ndërsa pas dokumentimit të tërësishëm të rastit, kundër tij do të ngritet kallëzim adekuat. Gjatë ditës së sotme, padi penale lidhur me zgjedhjet është ngritur edhe kundër një personi 49-vjeçar nga Koçani, i dyshimtë se ka kryer vepër penale “shkelje e lirisë të përcaktimit të votuesve”.

Një rast karakteristik, tha Kotevski, u regjistrua edhe në fshatin Radolishtë në Strugë, ku është arrestuar një shtetas shqiptar, për shkak të dyshimit se ka votuar me dokument të Maqedonisë.

Nga ana tjetër sot vet shefi i misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-së në Maqedoni, Gert Arens ka vizituar disa qendra votimi. Ai ka thënë se në raundin e dytë zgjedhor OSBE nuk ka angazhuar vëzhgues afatshkurtër në Maqedoni, por vetëm ekip të mbikëqyrës afatgjatë të cilët ndodhen në mbarë vendin. “Morëm shumë pohime se disa punë nuk do të jenë në rregull dhe prandaj po shohim nëse zgjedhjet po zhvillohen sipas standardeve të OSBE/ODIHR. Ky është vendvotimi i parë të cilin e vizitova dhe këtu nuk gjetëm parregullsi”, tha Arens.

I pyetur për pritjet nga votimi i sotëm, shefi i misionit të OSBE-së theksoi se nesër në konferencë për shtyp do t’i kumtojë përshtypjet. “Nuk dua të parashoh, por duhet me kujdes ta ndjekim situatën duke e pasur parasysh numrin e madh të deklaratave të pjesëmarrësve të dhëna para zgjedhjeve për të cilat duhet të formojmë mendim”, tha Arens.

Ekipi i vëzhguesve afatgjatë të OSBE-së numëron 18 persona, ndërsa raundin e parë të zgjedhjeve lokale OSBE/ODIHR e ndoqën me 220 vëzhgues.(LajmeShqip.com)