Lajme Shqip Friday, 22 March 2013 14:07

Shkup – Në Maqedoni partitë opozitare edhe sot kanë drejtuar akuzat për blerjen e votave nga ana e partive në pushtet për zgjedhjet lokale të 24 marsit.

Opozita e bashkuar maqedonase e udhëhequr nga LSDM akuzoi sot se ka dëshmi për blerjen e votave dhe manipulimin e qytetarëve. 

“Ne kemi dëshmi të bazuara në fakte se si VMRO-DPMNE organizon shpërndarjen e miellit, vaj ushqimor si dhe gypa kanalizimi dhe ujësjellësi në disa pjesë të vendit, përfshirë edhe Shkupin”, theksuan sot për portalet maqedonase, burime të opozitës maqedonase. 

Sipas tyre, po ofrohen mundësi për qytetarët që për dhënien e votës të paguhen edhe faturat e energjisë elektrike.  Opozita akuzoi se pushteti aktual ka mbyllur disa kompani ditëve të fundit, që udhëhiqen nga përkrahës të opozitës dhe se bëhet fjalë sipas tyre për mbylljen e 14 objekteve dhe 8 firmave private. 

Opozita gjithashtu ka theksuar se ka informacione se si drejtori i qendrës sociale në Dellçevë i ka bërë thirrje disa pjesëtarëve të komunitetit rom që të votojnë VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski, duke i kushtëzuar me ndihmat sociale. 

Ndërkohë, partitë politike shqiptare të opozitës gjatë fushatës kanë bërë denoncime të tilla, duke apeluar që të mos shitet vota e lirë për një shumë simbolike parash. Partitë shqiptare nuk kanë zbardhur ndonjë denoncim të tillë faktik. Rastet e tilla të blerjes së votës dhe manipulimit të qytetarëve janë denoncuar edhe para misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR. (INA/LajmeShqip.com)