Lajme Shqip Monday, 25 March 2013 16:39

Shkup – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një konferencë për mediat ka shpallur fitoren e kandidatit të partisë së tij, Fatmir Dehari, në komunën e Kërçovës. Kështu, për herë të parë një kandidat shqiptar merr drejtimin e këtij qyteti me mbi 60 mijë banorë.

Lideri i BDI-së ka thënë se partia e tij ka shënuar fitore në shumicën e komunave shqiptare, por ka pranuar se ka humbur drejtimin e Strugës. Në raundin e dytë zgjedhor që do të mbahet pas dy javësh, kandidati i PDSH-së, Zijedin Sela, do të garojë për drejtimin e Strugës me kandidatin maqedonas Vllado Kërçovski.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, në një konferencë për mediat, ka pranuar humbjen e partisë së tij, por ka thënë se PDSH-ja

ka një rritje me 21 mijë vota nga zgjedhjet e kaluara. Thaçi tha se shpreson që në raundin e dytë zgjedhor PDSH-ja të përmbysë epërsinë e BDI-së në Tetovë dhe në disa komuna të tjera.

Në bllokun politik maqedonas, në shumicën e komunave, kanë fituar kandidatët e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski. Gjatë ditës së hënë ptitet që OSBE-ODIHR të shpallë raportin preliminar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.(LajmeShqip.com)