Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 18:59

Manastir – Rreth 100 mijë euro janë vjedhur herët në mëngjes nga Posta kryesore në Manastir. Vjedhësi është i punësuar në “Postën e Maqedonisë”, i cili pas grabitjes, me veturë zyrtare ka ikur në një drejtim të panjohur dhe pas tij policia po gjurmon.

Zëdhënësi i SPB-së në Manastir, Gjoko Strezovski informon se grabitja ka ndodhur rreth orës 5 e 45 minutave në hapësirat e të ashtuquajturës reparti për kartela në Postën kryesore të Manastirit, në rr. “Ruzvelt”.

“Katërdhjetë e katër vjeçari S. D., banor i fshatit Bistricë, i punësuar në NP “Postat e Maqedonisë” në vendin e punës shpërndarës i dërgesave, gjatë shpërndarjes së mjeteve financiare nga Posta kryesore për ekspoziturat e tjera postale në rajon, nga vendi ku janë vendosur paratë për ekspoziturat në Resnjë dhe Demir Hisar ka marrë një thes me rreth 3. 660. 000 denarë, përderisa nga vendi ku qëndronin mjetet financiare të dedikuara për ekspoziturën postale në fshatin Zhvan, ka marrë një thes në të cilin gjendeshin rreth 2. 370. 000 denarë. Gjithsej vlera e mjeteve të marra financiare tejkalon gjashtë milionë denarë”, kumtoi kështu Strezovski.

Pasi i ka marrë thasët me para S. D. ka dalë jashtë postës, i ka lënë në një pi-kap, pronësi e NP “Postat e Maqedonisë”, i cili në atë moment ishte parkuar në parkingun në qarkun e postës dhe është nisur në drejtim të panjohur.

Policia e Manastirit i ndërmori të gjitha masat e duhura për gjetjen e vjedhësit për të cilin ka njohuri se u ka borxh shumë njerëzve në Manastir dhe se është pjesëmarrës i vjedhjes së rëndë të ditës së sotme.

Kjo është grabitja e dytë e bankave në Manastir gjatë kësaj jave. Një person i armatosur dhe i maskuar ditën e mërkurë e ka grabitur ekspoziturën e “Postat e Maqedonisë” në Manastir të Ri.