Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 06:44

Madrid – Autoritetet spanjolle, sot kumtuan se e kanë dëbuar ambasadorin libian në Madrid për shkak të humbjes së legjitimitetit të regjimit të Moamer Gadafit.

Qeveria spanjolle “vendosi ta ndërpresë misionin e të akredituarit në Madrid, ambasador i autoriteteve në Tripoli, pasi që regjimi i Gadafit humbi çdo legjitimitet për shkak të represioneve ndaj qytetarëve libianë”, kumtoi Ministria spanjolle e Punëve të Jashtme.

Ambasadori libian Axheli Abdulsalim Ali Breni duhet ta braktisë vendin për dhjetë ditë.

Spanja “vendosi të dëbojë edhe tre bashkëpunëtorë të ambasadës libiane për shkak të aktiviteteve, në kundërshtim të statusit të tyre diplomatik” shtohet në kumtesën.

Gjatë vizitës në Bengazi më 8 qershor, shefja e diplomacisë spanjolle, Trinidad Himenes theksoi se Madridi e pranon Këshillin Kalimtar Kombëtar “për përfaqësues të vetëm të vërtetë të popullit libian”.