Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 17:22

Londër - Pesë xhami në Londër kanë marrë dërgesa kërcënuese dhe të dyshimta me antraks të rremë, pas çka është shpallur alarm sigurie, ndërsa Skotland Jard dhe operativët nga komanda për luftë me terrorizmin ngritën hetim.

Tani për tani nuk ka të dhëna për atë se kush ka mundur të qëndrojë pas kërcënimeve të tilla, të dërguara deri te imamët në xhamitë, por ekziston dyshim se dërgesa e thasëve me pluhur të bardhë është vepër e ekstremistëve nga e djathta ekstreme britanike.

Xhamia në Finsburi Park, në Londrën veriore, e njohur sipas asaj që kur me të ka udhëhequr tani imami i burgosur Abu Hamza, e ka mbrojtur terrorizmin dhe i ka porositur të rinjtë t’u bashkangjiten talebanëve në Afganistan, krahas pluhurit “helmues”, ka marrë edhe një dërgesë me “vizatime të djallit” për profetin mysliman Muhamed. Policia sqaroi se bëhet fjalë për vizatime, të cilat janë të ngjashme me karrikaturat në Danimarkë, të cilat pas publikimit së tyre në një gazetë në Kopenhagë, në vitin 2005, shkaktuan zemërim në botën myslimane, ndërsa në Londër ishin rast për demonstrata anti-perëndimore dhe anti-britanike.

Skotland Jard dërgoi një letër deri te të gjitha xhamitë, numri i të cilave është mbi 200 dhe deri te imamët e tyre që të mos hapin asnjë lloj të postave, e cila është e dyshimtë, si dhe të mos e prekin thesin, nëse marrin dërgesë me pluhur të bardhë.

Imami i xhamisë në Finsburi Park deklaroi se pas pranimit të dërgesës, sigurimi i xhamisë i ka bërë thirrje policisë. Të gjitha hyrjet në këtë xhami janë mbyllur dhe është kryer kontroll në tërë objektin, por ekspertët policorë konfirmuan se bëhet fjalë për një antraks të rremë.

Mediat e Londrës zbulojnë se gjatë dhjetë ditëve të kaluara dërgesa të tilla kanë dërguar edhe në pesë xhami jashtë kryeqytetit britanik, me siguri xhamitë në Luton dhe në Birmingem.