Lajme Shqip Monday, 01 April 2013 19:18

Penian – Korea e jugut ka premtuar një “përgjigje të fortë” ndaj agresionit të mundshëm të Koresë së Veriut.

Në një fjalim drejtuar zyrtarëve të mbrojtjes, presidentja Park Geun-hye ka thënë se kërcënimet e Koresë së Veriut duhen marrë “shumë seriozisht”. Veriu bëri të ditur të shtunën se ka hyrë në gjendje lufte me Jugun, ndërsa të dielën Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar ushtarë në Korenë e Jugut.

“Nëse do të ketë provokime ndaj vendit dhe popullit tim, do të përgjigjemi ashpër në luftime dhe nuk do të merremi me diplomaci”, theksoi presidenti koreano-jugor.

Ndërsa udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, paralajmëroi të shtunën se do të shtojë arsenalin bërthamor për t’i bërë ballë kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara.

Në hapjen e punimeve të Komitetit Qëndror të Partisë, ai tha se “armët bërthamore nuk janë një monedhë për shkëmbim politik apo negociata ekonomike, por as nuk do të braktisen përballë kërcënimeve imperialiste”.

Korea e Veriut është shprehur e gatshme për të goditur edhe bazat amerikane në Japoni, në rastin e një lufte në gadishullin korean.

Lajmi raportohet në të përditshmen e Partisë së Punëtorëve, “Rodong Sinmun”, që flet për bazat e Misauas, Jokosukas dhe Okinauas.(T.CH/LajmeShqip.com)