Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 13:24

Shkup - Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot do të mbahet seanca e parë konstitutive e përbërjes së re të Parlamentit, në të cilën do të zgjidhet edhe kryetari i ri i shtëpisë ligjvënëse.

Seancën do ta udhëheqë deputeti më i vjetër Lubisav Ivanov Xingo, nga Partia Socialdemokrate, i cili ka marrë pjesë në punën e të gjitha përbërjeve parlamentare.

Në rend dite të seancës janë katër pika edhe atë përzgjedhja e komisionit verifikues, pastaj verifikimi i mandateve, si dhe pika e tretë është zgjedhje e anëtarëve të Komisionit për zgjedhje dhe emërtime dhe pika e katërt do të jetë zgjedhje e kryetarit të Kuvendit.

Për anëtarë të Komisionit verifikues partitë i propozuan Svetllana Jakimovskën nga VMRO-DPMNE, e cila pritet të jetë kryetare e Komisionit, Vllatko Gjorqev nga VMRO-DPMNE, Jani Makraduli nga LSDM, Hajrulla Misini nga BDI dhe Zijadin Sela nga PDSH.

Kjo është përbërja e shtatë e Kuvendit nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë në vitin 1991 dhe i pari që do të numërojë 123 deputetë.

Për herë të parë në karriget e Kuvendit do të ulen tre deputetë nga diaspora, pasi që shtetasit e Maqedonisë jashtë vendit morën të drejtë vote, ndërsa një pjesë e tyre edhe e realizuan në zgjedhjet e parakohshme më 5 qershor.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që u mbajtën më 5 qershor, më shumë deputetë fitoi koalicioni  i kryesuar nga VMRO-DPMNE 56, LSDM 42, BDI 15, PDSH 8 dhe RDK 2. (Lajmeshqip.com)